A do të jetë më e shtrenjtë çokollata? – Rritet në nivele rekord çmimi i kakaos
Çmimi i kakaos u rrit me 19.23% javën e kaluar, duke arritur në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 5.489 euro për ton, për shkak të motit të thatë që ndikon në korrjet e kakaos në Afrikën Perëndimore. Kjo ndodhi pasi erërat e Harmattanit të këtij viti ishin më të ashpra se zakonisht në vendet kryesore prodhuese të kakaos, si Bregu i Fildishtë dhe Gana. Çmimet e kakaos tani janë rreth 40% më të shtrenjta se sa ishin në fillim të këtij viti.
Gjigandi i çokollatës ‘Hershey’ paralajmëroi se rritja e çmimeve të kakaos në nivele të paprecedentë mund të dëmtojë seriozisht fitimet këtë vit. Shefi Ekzekutiv i Hershey, u shpreh se nuk mund të flitet ende për çmimet e ardhshme. Por, ai konfirmoi se do të bëhet çdo gjë për të menaxhuar sa më mirë biznesin.
Kjo mund të nënkuptojë se së shpejti konsumatorët mund të përballen me çmime më të larta për ëmbëlsirat e tyre. Një tronditje shtesë, në momentin që shumë konsumatorë po përballen tashmë me çmime më të larta për disa artikuj të përditshëm, për shkak të inflacionit që është ende disi i lartë.
Bota aktualisht po përjeton “Lëkundjen Jugore El Nino” – ENSO, që është një fenomen natyror klimatik, i cili ndodh kur temperaturat e sipërfaqes së detit tropikal lindor të Paqësorit rriten të paktën 0.5 gradë mbi mesataren e tyre afatgjatë.
Megjithatë, kjo mund të ketë ndonjëherë pasoja katastrofike në disa kultura, pasi ndikon gjithashtu erërat dhe klimën, duke bërë që viti 2023 të jetë tashmë viti më i nxehtë i regjistruar. Tani, 2024 mund të jetë gati për të kapërcyer atë rekord.
Kakaoja është jashtëzakonisht e prekshme, pasi është shumë e ndjeshme ndaj çdo lloj ndryshimi të motit, veçanërisht motit të ngrohtë. Moti më i nxehtë dhe më i thatë mund të sjellë gjithashtu sëmundje në të korrat duke shkaktuar një korrje të dobët dhe potencialisht duke pasur efekte afatgjata në cilësinë e tokës bujqësore.
Ndërsa erërat e Harmattanit janë sezonale dhe normalisht të pritshme, situata aktuale e El Ninos me të cilën përballet bota po i ndez edhe më shumë këto. Ndërsa të korrat vazhdojnë të jenë të dobëta, çmimet e kakaos mund të vazhdojnë të rriten.
Nga 1 tetori 2023 deri më 4 shkurt 2024, dërgesat e kakaos në Bregun e Fildishtë ranë rreth 39% nga një vit më parë. Në mënyrë të ngjashme, mbërritjet e kakaos së vulosur dhe të klasifikuar në Gana gjithashtu ranë rreth 35% nga 1 shtatori 2023 deri më 31 janar 2024.
Për shkak të ndryshimeve klimatike, fenomenet e motit nuk ka gjasa të përmirësohen dhe mund të vazhdojnë të përkeqësohen në vitet e ardhshme. Kjo mund të nënkuptojë modele të ndryshme reshjesh, mot më të nxehtë në disa zona, por mot më të ftohtë në të tjera. Disa pjesë të botës mund të regjistrojnë gjithashtu ngjarje ekstreme të motit si përmbytjet dhe zjarret në pyje. Çmimet e sheqerit po rriten gjithashtu ndjeshëm kohët e fundit, për shkak të prodhimit të dobët si pasojë e periudhave të zgjatura të motit ekstrem të thatë.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.