Abuzuan me çmimet, hetim të thelluar kompanive të qumështit – Autoriteti i Konkurencës: Prodhuesit e mëdhenj do hetohen për abuzim me pozitën dominuese
Autoriteti i Konkurrencës do të nisë një hetim të thelluar në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit. Sipas një njoftimi të bërë nga Autoriteti procedura hetimore do të përfshijë katër prodhuesit e mëdhenj: Erzeni SHPK, Gjirofarma SHA, Lufra dhe, SHAKA Boboshticë. Autoriteti në mbledhjen e tij të fundit ka konstatuar duke iu referuar analizës së tregut të prodhimit dhe shitjes me shumicë të nënprodukteve të qumështit, se sjellja e ndërmarrjeve me pjesë të konsiderueshme tregu, mund të përbëjë abuzim me pozitën dominuese. Komisioni i Konkurrencës ka vendosur që procedura e hetimit të thelluar ndaj këtyre katër ndërmarrjeve në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 – 31 dhjetor 2023.
Hapja e hetimit të thelluar vjen pas kryerjes së një procedure të hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit, të hapur në muajin shkurt 2023. Prej atij hetimi që nisi pas raportimeve në media, u panë rezultatet e presionit të kompanive për rritje të paralajmëruar të çmimeve të djathit dhe gjalpit. Rritja nga kompanitë e ndryshme kishte ndodhur në një periudhë të përafërt kohore.
Nga informacioni i administruar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe i cituar nga Autoriteti i Konkurrencës në vendimin për hapjen e hetimit paraprak, vitin e kaluar, rezulton se në tregun e prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të qumështit në territorin e Republikës së Shqipërisë ushtrojnë veprimtari rreth 240 subjekte. Por ndërmarrjhet e mësipërme kanë peshën kryesore në prodhimin e tregtimin e qumështit dhe të nëprodukteve të tij.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.