Agroturizmet po aplikojnë farërat autoktone – Denaj: Ruajtja e varieteteve lokale, vlerë e shtuar për tërheqjen e turistëve të huaj
Sipërmarrjet agroturistike po aplikojnë mbjelljen e farërave autoktone, duke ruajtur varietetet lokale të produkteve, sikurse janë perimet, frutat apo drithrat, si dhe duke përmirësuar përvojën e klientit që i viziton.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, përfaqësues të GIZ, Bankës Gjenetike të Farërave dhe Shoqatës së Agroturizmave, panë nga afër në një nga agroturizmat e Gramshit procesin e mbjelljes së farërave autoktone shqiptare, në kuadër të projektit “Farat autoktone”, që synon të mbështesë kultivimin e farave vendase në agroturizmat e Shqipërisë, për të rritur varietetet endemike të produkteve, si dhe duke promovuar një formë të qëndrueshme e bujqësisë.
“Ne si ministri, por e gjithë përpjekja e Qeverisë për këtë sezon turistik shkon drejt sigurisë, dhe agroturizmi është gërshetimi më i mirë i të dy sektorëve turizëm edhe bujqësi për të sjellë vlera dhe për të kënaqur turistët shqiptar dhe të huaj”, – tha Denaj.
Deri më tani janë pesë biznese-agroturizma, që kanë vendosur farën autoktone në fokus të menusë dhe produkteve të tyre, duke promovuar, jo vetëm kulinarinë e nisur nga farat autoktone, por dhe sigurinë ushqimore.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, aktualisht në agroturizma rreth 80 % e produkteve janë vendase, ndërkohë që është përllogatirur që për një sipërmarrje të tillë përfshihen 20 familje në zonë, 11 hektarë tokë dhe ka të punësuar rreth 15 punonjës.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.