AKSHI, tender edhe në ‘kohë lufte’ – Projekti 697 milionë lekë për sistemet e pensioneve e të sigurimeve shoqërore

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shpallur një tender tjetër të rëndësishëm, atë për përmirësimin e sistemeve të pensioneve. Tenderi me vlerë 697 milionë lekë parashikon përmirësimin e 4 sistemeve ekzistuese
Edhe pse prej më shumë se 1 javë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ndodhet në një presion të shtuar pune si rrjedhojë e sulmit kibernetik që paralizoi shërbimet publike, kjo nuk e ka penguar vijimin e procedurave tenderuese, tashmë për një shërbim tjetër të rëndësishëm.
AKSHI ka shpallur tenderin e radhës, me vlerë 697 milionë lekë për përmirësimin e sistemeve elektronike të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe infrastrukturës fizike për ISSH.
Projekti parashikon transferimin e të gjithë shërbimeve që lidhen me kontributet, llogaritjen e pensionit apo çdo dokument tjetër në variantin online, duke përmirësuar edhe sistemet ekzistuese.
Aktualisht, në zyrat e ISSH-së në qendër dhe rrethe janë vendosur 4 sisteme të ndryshme që kryejnë përllogaritjet e kontributeve, vitet e punës, masën e pensionit etj.
Sistemet që do të përmirësohen janë ai i përllogaritjes dhe menaxhimit të pensionit, sistemi për digjitalizimin e dokumenteve arkivore të ISSH-së, sistemi për menaxhimin e kontributeve dhe sistemi për menaxhimin e financave të ISSH-së.
Referuar projektit të ri, vendndodhja e ‘Site-s Primar’ dhe bazës operative të sistemeve të përmirësuara do të jetë Datacenteri Qeveritar, pranë AKSHI-t. Ndërkohë, sistemet do të vijojnë të kenë si vendndodhje dytësore atë që kanë sot.
Si datë fillimi e projektit do të merret “Data e nënshkrimit të kontratës” dhe periudha e implementimit do të jetë 12 muaj nisur nga kjo datë dhe 2 vjet mirëmbajtje.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.