Aksidentet në punë në BE për vitin 2020 – Ekonomia sektori më i ulët, shëndetësia me rritjen më të ndjeshme
Në vitin 2020, pothuajse 2.7 milionë aksidente pune jo fatale rezultuan në mungesën e punëtorëve nga puna për katër ditë ose më shumë në BE, ndërsa 3 355 aksidente të lidhura me punën ishin fatale njofton Eurostat.
Pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë kanë shënuar më pak aksidente në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019, me përjashtim të sektorit të shëndetësisë. Ky trend në rënie mund të shpjegohet me reduktimin ose mbylljen e aktiviteteve specifike me fillimin e pandemisë COVID-19 në 2020.
Sektori i shëndetësisë ka shënuar rritje të ndjeshme të aksidenteve (+17% krahasuar me vitin 2019). Përqindja e aksidenteve të regjistruara brenda sektorit të shëndetësisë u rrit nga 11% e totalit të aksidenteve në vitin 2019 në 15% të aksidenteve totale në vitin 2020 në nivel të BE-së.
Ashpërsia e aksidenteve në punë në BE
Në vitin 2020, aksidentet që rezultuan me 7–13 ditë mungesë nga puna përfaqësonin llojin më të shpeshtë të aksidenteve (njëlloj si në vitin 2019). Kanë ndodhur 676 781 aksidente të tilla (25% e numrit të përgjithshëm të aksidenteve).
Aksidentet që rezultuan me 1-3 muaj mungesë nga puna ishin lloji i dytë më i shpeshtë i aksidenteve në vitin 2020 (519 695; 19% e numrit total të aksidenteve). Nga ana tjetër, të dhënat e vitit 2019 tregojnë se lloji i dytë më i shpeshtë i aksidentit ishte më pak i rëndë (4-6 ditë mungesë nga puna). Këto lloje aksidentesh më pak të rënda (4-6 ditë mungesë nga puna) ishin lloji i tretë më i shpeshtë i aksidenteve në vitin 2020 (455 924; 17% e totalit të aksidenteve).
Llojet më pak të shpeshta të aksidenteve sipas ashpërsisë në vitin 2020 ishin me fatalitet 3 355 (0,1% e numrit total të aksidenteve) krahasuar me 3 408 aksidente me vdekje të regjistruara në vitin 2019. Lloji i dytë më pak i shpeshtë i aksidenteve ishin ato që rezultuan me paaftësi të përhershme për punë ose 183 ditë ose më shumë mungesë në punë 117 700 raste (4% e numrit total të aksidenteve) në 2020 krahasuar me 139 482 aksidente të tilla në 2019.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.