Alarmi i bashkive për çmimin energjisë në Itali – “Qeveria të financojë 1 miliard euro, ose do të falimentojmë”!
Kryetarët e bashkive në Itali janë të shqetësuar për rritjen e çmimit të energjisë dhe i kërkojnë qeverisë të financojë edhe 1 miliard euro, pasi në të kundërt mund të falimentojnë.
Kreu I Shoqatës Kombëtare të Komunave Italiane (ANCI), Alessandro Canelli, thotë se, “për të përballuar faturat e larta të energjisë, do t’i kërkojmë qeverisë së re një financim prej 200 milionë euro, më pas në ligjin e buxhetit për vitin e ardhshëm një fond prej 800 milionë euro, që do të jetë në dispozicion për komunat që do të kenë probleme me pagesat”.
Sipas tij, deri në fillimin nga puna të qeverisë së re, Shoqata do të përgatisë një paketë masash, duke përfshirë ato teknike dhe financiare, për të ndalur rënien e të ardhurave të bashkive që pritet për vitin 2023 dhe për të përballuar rritjen e vazhdueshme të kostove të energjisë.
Gjithashtu, Canelli ka ngritur alarmin se nëse nuk mbështeten financiarisht nga qeveria qendrore, rrezikohen të ndalen tramvajet, një pjesë e qyteteve të jenë në errësirë, të fiken plotësisht dritat në monumente dhe të ndërpritet energjia për ngrohje”.
Ai thekson se, situata është shumë e rëndë, pasi jo të gjitha komunat kanë të njëjtin nivel. Kjo varet nga kontratat e furnizimit, por krahasuar me shpenzimet historike prej 1.6 miliardë euro, deri më tani qeveria ka ndihmuar me 820 milionë, të disbursuara në transhe të ndryshme. Por, aktualisht kostoja totale është të paktën dyfish. Rritjet variojnë nga 80%, në 4 ose 5 herë më shumë se në të kaluarën dhe për rrjedhojë është e qartë se duhet të ketë një tjetër ndërhyrje të jashtëzakonshme nga qeveria.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.