Aplikohet për 6 centrale diellore – Investitorët, interes për energjinë fotovoltaike. Nuk përfitojnë nga masat mbështesëse
Centralet e mëdhenj për prodhimine energjisë nga dielli mbeten në interes të investitorëve privatë, teksa 6 aplikime të reja kanë mbërritur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për ndërtimin e tyre.
Referuar interesit të shprehur pranë këtij dikasteri, fuqia e instaluar e projekteve varion midis 24 MW dhe 62 MW, teksa në total kapaciteti i kërkuar arrin në 213.2 MW. Sa i takon vendndodhjes ku kërkohen të ndërtohen këto impainte energjetike, 3 prej tyre ndodhen në territorin e Bashkisë Kolonjë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Peqin.
Në rast të finalizimit të procedurave, këto projekte nuk do të jenë përfituese të masave mbështetëse të qeverisë, që përfshijnë lehtësim në sigurimin e dokumentacionit apo blerje të garantuar të energjisë së prodhuar. Interesi për investime në energji diellore ka disa vite që ka ardhur në rritje nga ana e investitorëve privatë, ndërkohë që një pjesë e kërkesave janë pranuar, ndërsa të tjera jo.
Aktualisht, energjia diellore nga impiantet e mëdhenj është pak e shfrytëzuar në vendin tonë, teksa kapaciteti total i instaluar është vetëm 40 MW, ku përfshihen centrale deri 2 – 5 MW. Ndërkohë që, centrali diellor në Karavasta me një fuqi prej 140 MW ka njoftuar se është gati të hyjë në prodhim.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.