Azilantët shqiptarë u “rikthehen” Europës – Rriten aplikimet në nëntor, 80% e tyre janë kërkesa për herë të parë
Të dhënat më të fundit të publikuara nga “Agjencia për Azil e Bashkimit Europian” që i referohen muajit Nëntor të vitit 2023, konstatojnë një përshpejtim të emigracionit. Në muajin Nëntor aplikuan 892 shtetas shqiptarë për azil në vendet e BE-së. Pavarësisht se në terma vjetorë tendeca e azilkërkuesve është paraqitur me rënie, në Nëntor duket se numri i aplikimeve ka qenë më i larti në muajt e fundit.
Nga 892 aplikime të kryera, 704 prej tyre ishin aplikues të rinj ose për herë të parë dhe pjesa tjetër rezultojnë aplikime të përsëritura. Nga totali i aplikimeve 95% janë refuzuar ose kanë marrë përgjigje negative dhe vetëm 5% e tyre ose 45 prej tyre janë aprovuar.
‘Scan Intel’ ka analizuar trendin e azilkërkuesve edhe në vendet e rajonit për të parë se cilët shtetas preferojnë të largohen drejt vendeve të BE-së.
Sipas analizës së bërë në nivel rajonal, shifrat tregojnë se ashtu si gjatë gjithë vitit 2023, renditja ka mbetur e pandryshuar duke e pozicionuar Shqipërinë në vendin e parë me numrin më të lartë të aplikimeve, ndërkohë që vendin e dytë dhe të tretë e gëzojnë Maqedonia e Veriut dhe Serbia me 711 aplikime dhe 507 aplikime gjithsej.
Ndërkohë, me numrin më të ulët të aplikimeve janë Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi me 127 dhe 30 aplikime gjithsej. Nga këto aplikime 76% e shtetasve malazezë kanë aplikuar për herë të parë, ndërsa 54.3% e aplikimeve të shtetasve boshnjakë regjistrohen si aplikime të reja.
Në përfundim të analizës, konkludojmë se fluksi i aplikimeve për azil ka patur një rritje të ndjeshme gjatë kësaj periudhe në të gjitha vendet e rajonit, tendecë kjo e kundërt me atë të një viti më parë.
Armela Duka/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.