Biznesi në gjendje të mirë financiare, rriti depozitat 21% – Faktorë nxitës edhe rritja e normave të interesit dhe shtimi i likuiditetit në treg
Çmimet e larta vijojnë t’i sigurojnë biznesit shqiptar situatë të mirë financiare, e cila reflektohet te ulja e nevojës së kompanive për kredi afatshkurtra për nevoja imediate, por veçanërisht te rritja e dukshme e depozitave në sistemin bankar. Në mbyllje të tremujorit të fundit të vitit, kur edhe konsumi është më i lartë, depozitat e bizneseve kanë shënuar një rritje prej 21%, shtim më i fortë se tremujorët e mëparshëm të vitit, tendencë që vijoi e ngjashme edhe gjatë muajit janar 2024.
Paralelisht, depozitat e individëve shënuan një rritje mesatare vjetore prej 8.2% gjatë tremujorit të katërt, nga 7% një tremujor më parë, ndërkohë që zgjerimi i depozitave në valutë të individëve vijoi të qëndrojë në nivele të larta dhe të ngjashme me tremujorët e kaluar.
Depozitat në banka shënuan një rritje mesatare vjetore prej 10.7% në tremujorin e fundit të vitit 2023. Në ndryshim nga një tremujor më parë, ky përmirësim ka reflektuar ecurinë e depozitave në lekë, të cilat u rritën mesatarisht me 5.5% nga 2.4% një tremujor më parë. Gjithsesi, për t’u theksuar është se rol në rritjen e depozitave, qoftë të biznesit, ashtu edhe të individëve, ka pasur edhe rritja e normave të interesit të tyre si rezultat i normës bazë të interesit, e cila nga nëntori i vitit të shkuar është në nivelin 3.25%.
Normat e interesit të depozitave me afat në lekë kanë shënuar një rritje disi më të shpejtë në tremujorin e fundit të vitit 2023. Në terma mesatarë, ato arritën në 2.0% në muajin dhjetor, nga 1.7% në tremujorin e tretë dhe 1.5% në gjysmën e parë të vitit. Normat e interesit për depozitat me afat në euro kanë frenuar rritjen në tremujorin e katërt.
Ato rezultuan mesatarisht 1.2% në këtë tremujor, duke mos ndryshuar nga fundi i tremujorit paraardhës. Diferenca mes interesit mesatar të depozitave në lekë dhe atij të depozitave në euro është luhatur ngushtë brenda intervalit 0.5 pikë përqindje-0.8 pikë përqindje, duke qenë pranë mesatares së qëndrueshme të shtatë viteve të fundit (0.6 pikë përqindje). Një faktor tjetër që ka ndikuar pozitivisht në shtimin e depozitave ishte edhe rritja e shpejtë e likuiditetit në lekë në pasqyrim të rritjes së shpenzimeve qeveritare.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.