Planet për borxhin, shlyerje masive principali nga 2024 – Efektet në pakësimin e kostove të shërbimit të huasë publike të dukshme në 2029
Një seri pagesash masive gjatë viteve 2024 dhe 2025, do të sjellin ulje drastike të trajektores së kostove të shërbimit të borxhit për vitet në vijim. Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, kostot e shërbimit të borxhit parashikohen të ulen me 41% në vitin 2025 në raport me vitin aktual, për të vijuar me ritme të ngjashme deri në vitin 2028. Një ulje e tillë është parashikuar të bëhet përmes pagesash të mëdha për shlyerjen e principalit.
Për vitin 2024, shërbimi i borxhit publik sipas Ministrisë së Financave, do të rriten në 421.4 miliardë lekë, nga afërisht 100 miliardë në vitin 2023. Nga shuma prej 421.4 miliardësh, 368 miliardë lekë do të jenë principal dhe 53.3 miliardë lekë interesa. Një shumë kaq e lartë e paguar në një vit pritet të ulë në 247.2 miliardë lekë kostot e shërbimit të borxhit në vitin 2025 dhe në vlerat prej afërisht 160 miliardë lekësh për 3 vitet e ardhëshme. Efektet e këtyre shlyerjeve pritet të reflektohen plotësisht në vitin 2029, kur kostot e shërbimit të vorxhit pritet të pakësohen thuajse me trefish, për të shkuar në vlerën e 62.2 miliardë lekëve.
Kostot e shërbimit të borxhit janë ndër zërat me peshën më të rëndë në buxhetin e shtetit. Ministria e Finacave raporton se këto kosto arritën në 100.8 miliardë lekë në fund të vitit 2023, nga 78 miliardë një vit më parë, me një rritje prej rreth 28%. E shprehur në raport me produktin e Brendshëm Bruto, shërbimi i borxhit është rritur në 2023 në nivelin 4.36%, nga 3.65% një vit më parë. Kosto kaq të larta të shërbimit të borxhit mbi vlerën 100 miliardë lekë nuk haseshin që në 2015. Megjithatë, në atë kohë ato zinin 7% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Pjesën më të madhe të këtyre kostove e zë principali i paguar nga shteti shqiptar, i cili për vitin e shkuar është rritur në 53,2 miliardë lekë, nga 38.3 miliardë një vit më parë. Pjesa tjetër e kostove të shërbimit përbehen nga shlyerjet e interesave, të cilat raportohen në vlerën 47,5 miliardë lekë në 2023, nga 39.6 miliardë një vit më parë. Prej tyre 29 miliardë lekë u përkasin interesave të paguara për borxhin e brendshëm, ndërsa 18.5 miliardë për borxhin e jashtëm.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, niveli i borxhit publik ka rënë në fund të 2023 nën 60% të PBB, vlera më e ulët që prej vitit 2008. Stoku i borxhit publik ka zbritur në fund të vitit të shkuar në nivelin 59.22% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.