BB i akordon Kosovës 90 mln euro – Financimi shërben për zhvillimin e politikave fiskale
Kosova përfiton 90 milionë euro nga Banka Botërore. Në një hap të rëndësishëm drejt rritjes së zhvillimit ekonomik, qeveria e Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme me Bankën Botërore për financim në vlerë prej 90 milionë eurosh.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një postim në rrjete sociale publikoi lajmin. Së bashku me Zëvendëspresidenten për Evropën dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore, Antonella Bassani, bënë të mundur nënshkrimin e marrëveshjes.
Ky financim është për të zhvilluar politikat fiskale, rritjen e konkurrueshmërisë dhe promovimin e rritjes së gjelbër për të përfituar qytetarët dhe ekonomia e Kosovës.
Për të siguruar këtë financim të rëndësishëm, Kosova ka realizuar veprime të caktuara, siç është përmirësimi i stabilitetit fiskal dhe makroekonomik, rritja e efikasitetit të shpenzimeve publike dhe krijimi i një mjedisi të favorshëm për investime.
Sipas ministrit Murati, kjo mbështetje e Bankës Botërore tregon përkushtimin e qeverisë për të promovuar zhvillimin ekonomik dhe për të vazhduar zbatimin e projekteve që kanë rëndësi për qytetarët e Kosovës.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.