BERZH investoi 1.63 euro mld në Ballkan gjatë 2023 – Shqipëria përfitoi rreth 146 milionë euro nëpërmjet 23 projekteve
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) vijoi angazhimin e fortë në Ballkanin Perëndimor edhe gjatë vitit 2023, me investime rekord prej më shumë se 1.63 miliardë euro në 100 projekte. Ndërsa, gjatë vitit 2022, investimet totale arritën në 1.28 miliardë euro. Matteo Colangeli, Drejtor Rajonal i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor deklaroi se bashkëpunimi do të vijojë.
“Ne do të vazhdojmë të rrisim prezencën tonë në Ballkanin Perëndimor, i cili është një rajon strategjik për ne. Ballkani Perëndimor mori nivele rekord investimesh nga BERZH vitin e kaluar. Për ta bërë më konkrete, ne kontribuuam me më shumë se 12% të vëllimit të përgjithshëm të biznesit të BERZH-it në vitin 2023, që në terma relativë, arrin në më shumë se 1.2% të produktit të brendshëm bruto (PBB) të rajonit, ose rreth 100 € për frymë”, deklaroi Colangeli.
Me tranzicionin energjetik, që është një ndër prioritetet kryesore, banka mbështeti investimet në energji të rinovueshme dhe ndihmoi ekonomitë e Ballkanit Perëndimor të zhvillojnë ankande konkurruese, duke rritur përqindjen e energjisë së pastër, në raport me totalin e energjisë së prodhuar.
Me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, BERZH vazhdoi të financojë ndërlidhjen e transportit, veçanërisht atë hekurudhor. Infrastruktura mjedisore ishte gjithashtu një nga fushat kryesore të mbështetjes në vitin 2023, veçanërisht projektet e manaxhimit të mbetjeve të ngurta dhe trajtimin e ujërave të zeza.
Nga totali prej 1.63 miliardë euro financime, BERZH ka investuar rreth 146 milionë euro në Shqipëri, nëpërmjet 23 projekteve, kryesisht në mbështetje të në sektorit privat dhe energjisë së rinovueshme. Përveç kësaj, banka mobilizoi në Shqipëri edhe një rekord prej 166 milionë euro nga huadhënës të tjerë, krahas financimit të vet.
BERZh thekson se, përfundimi me sukses i ankandit të parë publik për energjinë e erës në korrik të vitit 2023 ishte një moment historik, i arritur me asistencën teknike të Bankës, si dhe huaja prej 29 milionë euro për parkun fotovoltaik, 140 MË të Karavastasë.
Në lidhje me këtë projekt, BERZH ka akorduar një vlerë prej 99 milionë euro, për të financuar strukturën e projektin. BERZH vazhdoi mbështetjen e saj të fortë për sektorin financiar në Shqipëri, me më shumë se 80 milionë euro në financim dhe lehtësi për ndarjen e rrezikut për bankat lokale, në mbështetje të bizneseve të vogla dhe të mesme, që janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare. Në total, BERZH ka investuar deri më tani më shumë se 18 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në mbështetje të sektorit privat.
Lidion Kulla/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.