Bitcoin ngjitet në mbi 42,000 USD – Të premten u rrit me 6%, ngadalësohen flukset dalëse nga Grayscale
Bitcoin po qëndron në rritje edhe në sesionin e sotëm dhe po tregtohet në mbi 42 mijë dollarë, ndërsa të premten u rrit me mbi 6%. Anlistët mendojnë se korrigjimi i çmimit të bitcoin mund të ketë përfunduar dhe tashmë mund të fillojë tendenca në rritje.
Shumica e kriptomonedhave po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, pas fitimeve të realizuara të premten e kaluar, pasi investitorët u ngushëlluan me idenë se flukset dalëse nga Fondi i Tregtuar në Bursë (ETF) Grayscale Bitcoin kanë filluar të ngadalësohen. Vetëm të premten e kaluar, bitcoin u rrit me 6%, në mbi 42,000 dollarë, nivel në të cilin po tregtohet edhe në sesionin e sotëm. Edhe ethereum u rrit me mbi 2% të premten, ndërsa sot po tregtohet në rreth 2,270 dollarë.
E enjtja e kaluar regjistroi daljet më të ulëta të parave nga Grayscale Bitcoin Trust dhe ditën e tretë radhazi në rënie. Edhe strategët e JPMorgan bënë një vëzhgim të ngjashëm, duke thënë se “tërheqja e fitimeve nga Grayscale Bitcoin Trust ka ndodhur tashmë dhe kjo do të thotë se shumica e presionit në rënie mbi bitcoin tashmë mund të ketë kaluar”.
Bitcoin ra ndjeshëm në fillim të javës së kaluar, duke zbritur poshtë 39,000 dollarëve, për herë të parë që nga fillimi i dhjetorit, gjatë një korrigjimi gjerësisht të pritshëm pas miratimit dhe debutimit të ETF-ve në bitcoin në SHBA.
Megjithatë, rënia nuk ishte aq e keqe sa kishin parashikuar disa analistë, që prisnin një korrigjim deri në 36,000 dollarë. Rritja e çmimit të bitcoin bëri që edhe aksionet kompanive të këtij sektori të listuara në bursë të rriten ndjeshëm në sesionin e së premtes.
Tashmë që korrigjimi mund të ketë përfunduar, analistët presin që shumë shpejt bitcoin të kalojë nivelin e 43,000 dollarëve, ndërsa në terma afatgjatë mund të kalojë edhe nivelin rekord të 69 mijë dollarëve, të regjistruar në nëntor të vitit 2021.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.