Bitcoin nuk ndal rënien, zbret poshtë 41,000 USD – Zbehet efekti i ETF-ve, tashmë vëmendja te “përgjysmimi”
Tregu i kriptomonedhave e ka nisur edhe këtë javë në rënie, me bitcoin që ka zbritur poshtë nivelit të 41,000 dollarëve, ndërsa vijon korrektimi i çmimeve që nisi javën e kaluar. Tashmë analistët shprehen se bitcoin po përballet me një periudhë sfiduese dhe po testohet nëse do t’i rezistojë nivelit të 40,000 dollarëve.
Që kur Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve në SHBA miratoi fondet e tregtuara në shkëmbim në bitcoin më 10 janar, kriptomonedha më e madhe në botë ka rënë me rreth 8%. Investitorët dhe analistët e tregut po i kushtojnë vëmendje të madhe performancës së Bitcoin, veçanërisht teksa qëndron pranë kësaj pike thelbësore.
Entuziazmi fillestar që u shfaq me lançimin e ETF-ve nuk ka pasur një efekt të qëndrueshëm në vlerësimin e Bitcoin, ndryshe nga sa mund të kishin pritur disa pjesëmarrës të tregut. Parashikimet për ecurinë e bitcoin në terma afatshkurtër dhe afatmesëm janë për një korrektim më të thellë, drejt 38,000 dollarëve, ndërsa në afatgjatë nuk kanë ndryshuar vlerësimet për një rritje të ndjeshme, veçanërisht me afrimin e muajit prill, kur do të ndodhë edhe përgjysmimi i radhës. Historikisht, përgjysmimi i vlerës së gjenerimit të bitcoin me të njëjtën sasi energjie të shpenzuar, ka sjellë një rritje të ndjeshme të çmimit.
Për këtë arsye, gradualisht vëmendja e tregjeve do të zhvendoset nga efekti i ETF-ve, te ndikimi që do të sjellë përgjysmimi, një ngjarje që ndodh çdo katër vjet dhe synon të kufizojë ofertën dhe potencialisht të rrisë çmimin nëse kërkesa mbetet konstante. Ndërsa Bitcoin i afrohet këtij momenti kritik, aftësia për të qëndruar mbi nivelin e mbështetjes prej 40,000 dollarë shihet si një tregues kyç i trajektores së tij afatshkurtër.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.