Euro gjen stabilitet pranë 103.5 lekëve – Tregjet ndërkombëtare presin mbledhjet e BQE dhe Bankës së Turqisë
Tregu i brendshëm valutor e ka nisur edhe këtë javë në qëndrueshmëri, ndërsa vihet re një rritje e lehtë e dollarit, frangës dhe paundit. Në këtë mënyrë, pas një tendence në rritje të monedhave të huaja përballë lekut në fillim të vitit, tashmë për të dytën javë me radhë tregu është në stabilitet. Sipas agjencisë së këmbimit valutor, Iliria 98, në orët e pasdites dollari blihet me 94.8 dhe shitet me 95.7 lekë, euro blihet me 103.5 dhe shitet me 104.2 lekë, franga zvicerane blihet me 109 dhe shitet me 110 lekë, ndërsa paundi britanik blihet me 120.2 dhe shitet me 121.2 lekë.
Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare dollari amerikan është forcuar lehtë, duke zgjeruar fitimet e javës së kaluar, ndërsa investitorët po presin vendimet që do të marrin bankat qendrore në Europë dhe në Japoni.
Banka e Japonisë e fillon sot takimin 2-ditor, ndërsa janë ulur pritshmëritë për daljen nga normat negative të interesit, për shkak të tërmetit që preku Japoninë në natën e Vitit të Ri. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 103.2, ndërsa euro po këmbehet e qëndrueshme në rreth 1.09 dollarë.
Rritja e dollarit amerikan gjatë këtij viti, ka qenë një tentative e paqëndrueshme pasi investitorët përpiqen të vlerësojnë se kur Rezerva Federale do të fillojë të ulë normat e interesit. Të dhënat e publikuara javën e kaluar treguar se aktiviteti ekonomik në SHBA mbetet elastik, pavarësisht se normat e interesit janë në nivelin më të lartë në disa dekada.
Investitorët vlerësojnë aktualisht rreth 50% shanse për uljen e interesave në takimin e muajit mars, nga rreth 80% që ishin këto mundësi në javën e parë të janarit. Gjatë kësaj jave do të jetë edhe takimet e Bankës Qendrore Europiane dhe Bankës së Turqisë, në një kohë që tensionet në Detin e Kuq kanë arritur kulmin dhe kërcënojnë tregtinë globale dhe zinxhirët e furnizimit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.