Nafta tregtohet pranë 78 USD – Ngadalësimi i kërkesës zbeh efektet e tensioneve gjeopolitike
Nafta po gjendet nën presion, gjatë sesionit të sotëm, pasi shqetësimet për ngadalësimin e kërkesës globale kanë zbehur tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe efektet e një sulmi ndaj një terminali rus të eksporteve të karburanteve, gjatë fundjavës.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 78 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 73 dollarëve për fuçi. Gjithsesi, fitimet janë kufizuar nga një sulm i supozuar me dron nga Ukraina, ndaj një terminali të madh rus të eksportit të karburanteve.
Prodhuesi rus, Novatek, u detyra të pezullonte disa operacione në terminalin e Detit Balltik, për shkak të zjarrit. Në Lindjen e Mesme tensionet janë të larta, pasi lufta në Gaza vazhdon, ndërsa Shtetet e Bashkuara goditën një tjetër zonë në Gjirin e Adenit, nga ku mendohej se militantët e Houthit do të lëshonin një raketë ndaj anijeve në Detin e Kuq. Sulmet nga grupi militant, që mendohet se është i lidhur me Iranin, në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit kanë ndërprerë tregtinë globale.
Këto sulme kanë tkurrur furnizimin e tregjeve të naftës në Europë dhe në Afrikë. Megjithatë, analistët shprehen se prodhimi i lartë dhe shenjat për ngadalësimin e kërkesës kanë zbehur efektet e tensioneve gjeopolitike, të paktën në afatin e shkurtër.
Investitorët do të kenë një panoramë më të qartë në lidhje me gjendjen e kërkesës, kur të publikohet të dhënat mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto në SHBA, më vonë gjatë kësaj jave. Parashikimet e fundit në lidhje me rritjen e kërkesës për vitin 2024, nga Administrata për Informimin mbi Energjinë në SHBA, nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë dhe nga OPEC variojnë mes 1.24 milion dhe 2.25 milion fuçi në ditë, megjithëse të treja organizatat presin që kërkesa të ngadalësohet në vitin 2025.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.