Bitcoin rikuperon një pjesë të humbjeve – Ngjitet në mbi 41,000 USD, por tendenca në rënie mund të rikthehet
Tregu i kriptomonedhave ka rifituar një pjesë të humbjeve të sesionit të kaluar, me bitcoin që u ngjit në mbi 41,000 dollarë, por megjithatë analistët mendojnë se korrektimi do të vijojë javën e ardhshme. Vetëm të enjten, bitcoin humbi 3.6% të vlerës, duke rënë në 40,500 dollarë, niveli më i ulët që nga 13 dhjetori.
Edhe Ethereum, që është rritur ndjeshëm gjatë sesioneve të fundit, ra me rreth 3% të enjten, ndërsa sot po tregtohet në rreth 2,480 dollarë. Lëvizja në rënie e bitcoin bëri që edhe aksionet e lidhura me tregun e kriptomonedhave të bien ndjeshëm. Coinbase dhe MicroStrategy e mbyllën sesionin e kaluar në rënie me 7% dhe 2% respektivisht. Analistët shprehen se tregu është ende në gjendjen e korrektimit, pas lançimit të ETF-ve, që do të thotë se rënia mund të rikthehet javën e ardhshme, pasi tregtarët afatshkurtër dhe zotëruesit e mëdhenj të bitcoin janë ende duke bërë shitje të konsiderueshme.
Bitcoin ka rënë rreth 12% që kur Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve i dha dritën jeshile fondeve të tregtuara në shkëmbim në bitcoin (ETF), për të filluar tregtimin në SHBA më 10 janar. Analistët kanë paralajmëruar se megjithëse tendenca afatgjatë në rritje mbetet e paprekur, duket se ka ende hapësira në rënie. Madje ky mund të jetë vetëm fillimi i një tremujori të parë zhgënjyes. Kriptomonedha më e madhe në botë ka humbur deri më tani për vitin 2024 rreth 3% të vlerës, ndërsa 2023-shin e mbylli në rritje me 157%.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.