Nafta Brent e mbyll javën pranë 79 USD – Mbështetet nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe i ftohti në SHBA
Nafta po tregtohet në rritje gjatë sesionit të sotëm duke zgjeruar fitimet e një dite më parë, si rrjedhojë e tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjeve në prodhimin e naftës në SHBA, nga i ftohti që ka prekur vendin. Në anën tjetër, fitimet janë kufizuar nga shqetësimet për rritjen e ngadaltë të kërkesës në Kinë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në mbi 79 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në mbi 74 dollarë për fuçi.
Të dyja kontratat u rritën me rreth 2% në sesionin e kaluar, pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë iu bashkua grupit prodhues, OPEC, duke parashikuar një rritje më të fortë të kërkesës globale gjatë dy viteve në vijim. Për sa i përket zhvillimeve në Lindjen e Mesme, Pakistani zhvilloi disa sulme ndaj militantëve separatistë brenda Iranit të enjten, dy ditë pasi Teherani tha se goditi bazat e një grupi tjetër brenda territorit pakistanez.
Ka gjithashtu shqetësime se konflikti SHBA-Kinë mund të tërheqë sërish vëmendjen, ndërsa afrohen zgjedhjet në SHBA, që do të ishte negative për kërkesën për energji. Sipas analistëve, nëse tensionet në Lindjen e Mesme do të përshkallëzohen, nafta Bruto amerikane mund të tregtohet në intervalin 70-76 dollarë për fuçi. Ndër zhvillimet e tjera, Administrata për Informimin mbi Energjinë në SHBA njoftoi se rezervat e naftës bruto ranë me 2.5 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 12 janar, por rezervat e benzinës u rritën në nivelin më të lartë në disa vite, një shenjë që tregon se kërkesa po dobësohet. Ndërkohë, rreth 40% e prodhimit të naftës në Dakotën e Veriut, një ndër shtetet amerikane me prodhimin më të madh, mbeti i pezulluar për shkak të motit të ftohtë ekstrem dhe sfidave operacionale.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.