“Biznesi të jetë më i përfshirë në reformat ekonomike” – Mete: Shqipëria përfiton 1 miliard euro nga BE në varësi të avancimit
Këshilli i Investimeve ka zhvilluar mbledhjen e fundit të vitit, duke u fokusuar në nisjen e konsultimeve të Programit të Reformave Ekonomike 2024-2026.
Përgjatë drejtimit të mbledhjes, Ministri i Financave Ervin Mete, tha se përfshirja sa më e gjerë e komunitetit të biznesit në formësimin e këtyre reformave do të krijojë baza më të qëndrueshme për arritjen e objektivave dhe përfitimin e fondeve nga BE.
Në fjalën e tij, Ministri Mete bëri edhe një përmbledhje të ecurisë së ekonomisë përgjatë vitit 2023, duke theksuar rritjen e investimeve të huaja direkte në 1.1 miliardë euro për 9-mujorin, uljen e papunësisë në 10.5 % dhe rritjen e pjesëmarrjes në forcat e punës në shkallën 76.1%, si dhe zhvillimet pozitive në sektorin e turizmit ku numri i vizitorëve deri në nëntor arriti në 9.5 milionë.
Nga ana tjetër, Ministri informoi se synohet zgjerimi i mëtejshëm i anëtarëve të Këshillit të Investimeve me përfaqësim sa më të gjerë nga komuniteti i biznesit, si një forum i rëndësishëm në dialogun dhe bashkëpunimin Qeveri-Biznes.
Elisabeta Doskku/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.