Bllokimi i e-Albania, qytetarët mbeten pa shërbime! Pas kyçjes së sporteleve fizike, ishte “dera” e vetme për t’u pajisur me dokumente zyrtare

Bllokimi i shërbimeve online nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nënkupton se qytetarët shqiptarë nuk do të kenë asnjë mundësi për t’u pajisur me dokumentet që mund t’iu nevojiten në ditët në vijim. Kjo pasi prej datës 1 maj të këtij viti qeveria ka mbyllur të çdo sportel fizik, duke përcaktuar marrjen e shërbimeve vetëm përmes portalit qeveritar e-Albania.
Deri më tani, AKSHI nuk ka dhënë asnjë orientim sesi do të mund të veprojnë qytetarët, të cilët s’do të mund të marrin as certifikatën personale, teksa i papërcaktuar është edhe afati i zgjatjes së bllokimit të shërbimeve online.
Të mbyllura janë edhe sportelet pritëse me 1 ndalesë nga Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), që gjithashtu u mbyllën me vendimit për “kyçjen” e sporteleve fizike. Përpara mbylljes së sporteleve, punonjësit e zyrave të ADISA asistonin qytetarët për të kryer aplikime, për kërkesa për informacion apo për regjistrimin në e-Albania. Ndërkohë që, për ndërtimin apo rikonstruksionin e këtyre zyrave u shpenzuan edhe miliona lekë nga paratë publike, që nuk janë të hapura për publikun.
Sipas të dhënave të përpunuara nga TV SCAN vetëm për rikonstruksionin e zyrave në Gjirokastër, Kamëz, Elbasan, Krujë dhe Vlorë janë dhënë tender me vlerë totale prej 128.5 mln lekë.
Praktikisht, e-Albania ishte ”dera” e fundit për të aksesuar shërbimet publike, por tashmë edhe ajo është “mbyllur”. Ndërkohë që, përveç njoftimit të AKSHI-t, qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë sqarim për qytetarët, sesi do të duhet të veprojnë në ditët në vijim!
Ola Mitre/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.