Bonot, BSH shtyn afatin e mbylljes për individët. Mbyllja ishte planifikuar me 31 dhjetor 2022
Krahas vendimit për të rritur normën bazë të interesit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi shtyrjen në kohë të mbylljes së aktivitetit të ndërmjetësimit të investimit të personave fizikë në bonot e thesarit nëpërmjet Bankës së Shqipërisë
Sipas këtij vendimi, Banka e Shqipërisë do të shtyjë në kohë mbylljen e sporteleve të saj që ofrojnë shërbimin e ndërmjetësimit të investimit të individëve në bonot e thesarit të qeverisë shqiptare. Paraprakisht, Banka e Shqipërisë kishte planifikuar që këto sportele të mbylleshin përfundimisht në datën 31 dhjetor 2022.
“Duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit në tregjet financiare në kushtet e rritjes së normës bazë të interesit, Banka e Shqipërisë vlerëson se mbajtja e hapur e këtij kanali do të ndikojë jo vetëm në një transmetim më të shpejtë të politikës monetare në ekonomi, por dhe do të lehtësojë vendimmarrjen e individëve në kushtet e reja monetare që po kalon vendi” njofton Banka e Shqipërisë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.