Borxhi rritet, por euro e PBB “lehtësojnë” qeverinë – Arrin në 1.389 trilionë lekë në qershor, por bie nën nivelin 70% në raport me PBB

Ndërsa stoku i borxhit publik ka vijuar rritjen edhe përgjatë gjysmës së parë të këtij viti, Qeveria i gëzohet disa lajmeve të mira. Lajmi i parë i mirë është që pavarësisht rritjes, Qeveria mund të thotë se ai është ulur në raport me produktin e Brendshëm Bruto, ndërkohë që rënia e fortë e monedhës së përbashkët Europiane i ka krijuar lehtësuar ndjeshëm kushtet e shërbimit të borxhit.
Sipas të dhënave të sapopublikuara të Ministrisë së Financave, Stoku i borxhit të brendshëm dhe të jashtëm ku përfshihet Qeveria Qendrore, Lokale si dhe Borxhi i garantuar ka arritur në 1.389 trilionë lekë nga 1.382 triolionë në fund të vitit 2021. 685.9 miliardë lekë janë borxh i jashtëm, ndërsa pjesa tjetër prej 704 miliardë lekësh janë borxh i brendshëm.
Por në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, borxhi ka regjistruar një rënie të dukshme e cila do ta favorizojë ndjeshëm Qeverinë në analizat që do i bëjë në vijim. Kjo pasi i matur në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, Borxhi rezulton të ketë shënuar një rënie rekord prej 4 pikë përqindjeje.
Ndërsa viti 2021 u mbyll me një borxh publik sa 73.1% i Produktit të Brendshëm Bruto, për herë të parë që prej vitit 2014 ai rezulton nën kufirin e 70%. Sipas Ministrisë së Financave, për gjashtëmujorin e këtij viti, Borxhi publik rezulton sa 69,1% e Produktit të Brendshëm Bruto, zhvillim që lidhet me situatën e favorshme me të ardhurat buxhetore që po përjeton buxheti i shtetit për shkak të rritjes së ccmimeve të produkteve.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.