BP, 8,2 miliard dollarë fitime në tremujorin e tretë – Të ardhurat rekord për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe gazit
Gjigandi i naftës dhe gazit BP raportoi të martën fitime më të mëdha nga sa pritej për tremujorin e tretë, të mbështetur nga çmimet e larta të mallrave dhe tregtimi i fuqishëm i gazit.
Kompania britanike e energjisë regjistroi një fitim prej 8.2 miliardë dollarë në tremujorin e tretë, kundrejt 8.5 miliardë në tremujorin paraardhës, ndërsa një vit më pare fitimi neto arriti në 3.3 miliardë dollarë.
Kompanitë më të mëdha në botë të naftës dhe gazit kanë raportuar fitime të larta në muajt e fundit, duke përfituar nga rritja e çmimeve pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Mjaft vende prej kohësh janë shprehur për taksa më të larta mbi fitimet rekord të kompanive të naftës, veçanërisht në një kohë kur rritja e çmimeve të gazit dhe karburantit ka rritur inflacionin në mbarë botën. Grupet e industrisë së naftës dhe gazit janë shprehur kundër një takes të përkohshme, duke paralajmëruar se do të dështonte të zgjidhte një rritje të madhe të çmimeve të energjisë dhe mund të pengonte investimet.
Ndërkohë edhe gjiganti i naftës Saudi Aramco publikoi rritje të fitimeve me 39% gjatë tremujorit të tretë të vitit, si rrjedhojë e çmimeve më të larta të naftës së papërpunuar dhe shtrëngimit të ofertës globale.
Të ardhurat neto u rritën në 42.4 miliardë dollarë për tremujorin, nga 30.4 miliardë dollarë vitin e kaluar dhe pak mbi pritshmëritë.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC, rriti parashikimet e saj afatmesme dhe afatgjata për kërkesën e naftës së papërpunuar dhe tha se nevojiteshin 12.1 trilionë dollarë investime për ta përmbushur atë. Perspektiva e saj ndryshon nga ajo e disa institucioneve të tjera, si Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, e cila sheh kulmin e kërkesës për naftë diku nga mesi i dekadës së ardhshme, ndërsa shtetet përpiqen të largohen nga karburantet fosile.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.