Britania paguan influencera shqiptarë në Tik Tok për të frenuar emigrantët – The Times: Për këtë fushatë janë akorduar 1 milion paund
Qeveria britanike po planifikon që të paguajë influencera në Tik Tok që frenojë emigrantët që të kalojnë kanalin, me një fokus të veçantë te Shqipëria dhe vendet e tjera që kontribuojnë në emigrimin e paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Iniciativa, që zbulon The Times, synon t’i drejtohet emigrantëve në vendet pa konflikte, veçanërisht të rinjve në moshë pune dhe familjeve e tyre, duke i inkurajuar ata të marrin në konsideratë rreziqet që lidhen me migrimin e paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Plani është që personave influentë në rrjetet sociale, që janë nga vende me nivele të larta emigracioni të paligjshëm, t’u ofrohen shumë të mëdha parash, me qëllim dekurajimin e udhëtimeve të rrezikshme përmes varkave të vogla.
Sipas raportit, pika që do të theksohet shumë do të jetë rreziku i dëbimit të tyre në Ruandë. Sipas The Times, për këtë fushatë janë akorduar 1 milionë paund ose 1.2 milionë euro. Kjo fushatë do të përfshijë vende si Shqipëria, Iraku, Egjipti dhe Vietnami. Nuk përjashtohet mundësia ë të përfshihen edhe vende si Turqia dhe India.
Një pjesë e madhe e këtij buxheti, rreth 380 mijë paund, do të adresohen për fushatën në Shqipëri. “Multicultural Marketing Consultancy” (MMC) është kontraktuar nga “Home Office” britanike për të përzgjedhur kandidatët e përshtatshëm për të bërë këtë fushatë.
Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nënshkruar në dhjetorin e vitit 2022 një marrëveshje bashkëpunimi për riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm dhe nga ana tjetër kanë shprehur vullnetin për të bashkëpunuar për reduktimin e hyrjeve të paligjshme.
Në majin e vitit 2023, dy vendet nënshkruan marrëveshjen për transferimin e të burgosurve shqiptarë në vendlindje në këmbim të një mbështetje që Mbretëria e Bashkuar do të japë për modernizimin e burgjeve shqiptare.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.