Bursat europiane, në rënie modeste – Investitorët presin bankat qëndrore dhe PBB në Eurozonë

Tregjet europiane janë hapur në rënie në sesionin e sotëm, sepse vëmendja e investitorëve është kthyer te takimi i Rezervës Federale, që përfundon të mërkurën, ndërsa të enjten do të jetë Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Anglisë që pritet të rrisin normën bazë të interesit me 50 pikë bazë.
Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rënie me 0.2%, ndërsa sektori minerar kryeson humbjet, në rënie me rreth 0.7%. gjithashtu, investitorët po presin edhe të dhënat mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto në Eurozonë, për tremujorin e katërt të vitit 2022 dhe inflacionin në Gjermani dhe Francë, që do të publikohet më vonë gjatë ditës së sotme. Edhe shumica e tregjeve aziatike patën një performancë mikse, gjatë sesionit të sotëm.
Përsa i përket korporatave, fitimet neto të UniCredit rezultuan në 2.46 miliardë euro në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, rreth dyfish më shumë se parashikimet e analistëve për fitime prej 1.1 miliardë euro. Gjithashtu, banka tha se do të shpërndajë 5.25 miliardë euro për investitorët, pasi realizoi fitimet më të mëdha në një dekadë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.