Çmimet e larta të energjisë “frenojnë” KESH – Anulohet procedura e blerjes, Korporata: Do e mbulojmë nga prodhimi vendas!

Rritja e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare ka detyruar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare të anulojë procedurën për blerjen e 61 600 mwh energji, të shpallur në datën 12 gusht. Energjia që do të blihej përmes kësaj procedure nevojitej për plotësimin e nevojave konsumatorë përgjatë periudhës 15-21 gusht, por sipas KESH tashmë ajo do të sigurohet nga prodhimi në Kaskadën e Drinit.
“Kjo javë, për shkak të ri-rritjes së temperaturave dhe daljes në remont të disa impianteve në Evropë pati një rritje te menjëhershme te çmimeve. Për këtë arsye procedura u anullua dhe do mbulohet konsumi me prodhimin vendas”,- bëri me dije KESH për TV SCAN.
Ndërkaq, sa i takon situatës në Kaskadën e lumit Drin, në datën 15 gusht është shënuar rënie e nivelit të Liqenit të Fierëz, në krahsim me fillimin e muajit nga 281.48 mmnd, në 278.62 mmnd. Ndërkohë që, edhe rezerva energjetike ka pësuar rënia gjatë periudhës 2-javore, ku sipas të dhënave zyrtare rezulton në 722.9 GWH, nga 812 GWH që ishtë në datën 1 gusht. Ndërkaq, çmimet e energjisë në tregjet ndërkombëtare, për gushtin kanë arritur nivele rekord. Në bursën e Hungarisë, që shërben si referencë për Shqipërinë, për tregun e ditës në avancë 1 MWH kushton 500.56 euro, çmimi më i lartë i regjistruar gjatë këtij muaji.
Vetëm për muajin gusht, KESH ka shpenzuar 46.6 mln euro për blerjen e energjisë, teksa blerja me baza ditore apo javore ka prekur drejtpërdrejt nga rritja e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare. Kjo pasi, mungojnë kontratat afatgjata për blerjen e energjisë, që mund të ishin siguruar në periudha kur çmimet ishin më të favorshme. Ndërkohë që, përgjatë gjithë vitit janë shpenzuar 235.6 mln euro.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.