Energjia, ulet mbështetja buxhetore – Plani 3-vjeçar/ Më pak para’ se parashikimet e vitit të kaluar. Prioritet, eficenca e energjisë
Qeveria parashikon ulje të shpenzimeve buxhetore për sektorin energjetik në 2 vitet e ardhshëm, në raport me parashikimet e vitit të kaluar. Sipas programit buxhetor afatmesëm 2023 – 2025, për vitin që vjen buxheti për energjinë parashikohet të jetë 3.612 mld lekë, ndërkohë që sipas programit 3-vjeçar, të miratuar vitin e kaluar mbështetja parashikohej të ishte 3.616 mld lekë.
Parashikimet janë të njëjta edhe për vitin 2024, ku sipas programit të ri 3 – vjeçar buxheti për energjinë do të jetë 3.632 mld lekë, teksa vitin e kaluar parashikoj në 3.769 mld lekë.
Buxheti i miartuar për vitin 2022, gjithashtu ishte më i ulët se parashikimet e vitit të kaluar. Ndërkaq, sa i takon zhvillimit të sektorit, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, prioritet është rritja e eficencës së energjisë kundrejt konsumit të përgjithshëm final, nëpërmjet shqyrtimit të programeve për promovimin e tregut, për penetrimin e teknologjive të përparuara si dhe rritjen e përdorimit të energjive të rinovueshme. Sipas dokumentit të publikuar në Fletoren Zyrtare, në vitin 2025 eficenca e energjisë do të rritet me 6.5% referuar vitit 2021.
Ndërkohë që, përdorimi i energjisë së rinovueshme parashikohet të rritet me 38% në 2025-ën, në raport me vitin e kaluar.
Paralelisht, parashikohet diversifikimi i furnizimit me burime energjetike dhe integrimi në rrjetet energjetike rajonale dhe europiane, duke nxitur investimet dhe përmirësuar arkëtimet dhe likuiditetet, si dhe zhvillim i qëndrueshëm i ekonomisë nëpërmjet garantimit dhe furnizimit me burime të sigurta energjetike me kosto minimale.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.