Çmimet e naftës ulen me 1 usd – Për shkak të COVID-19 dhe të dhënave të dobëta të aktivitetit të fabrikave në Kinë
Çmimet e naftës ranë mbi 1 dollarë të hënën pas të dhënave më të dobëta se sa pritej për aktivitetin e fabrikave në Kinë dhe shqetësimeve se zgjerimi I ndalimeve për COVID-19 do të pakësojnë kërkesën. Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent ranë 1.2%, në 94.67 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor u tregtua me 86,83 dollarë për fuçi, me një rënie prej 1,2%.
Aktiviteti i fabrikave në Kinë, importuesi më i madh i naftës së papërpunuar në botë, ra papritur në tetor, tregoi një sondazh zyrtar të hënën, i rënduar nga zbutja e kërkesës globale dhe kufizimet e rrepta të COVID-19 që goditën prodhimin. Qytetet kineze po forcojnë politikën e Pekinit për zero-COVID ndërsa infektimet shtohen, duke zbehur shpresat e mëparshme për një rikthim të kërkesës.
Kufizimet e rrepta të COVID-19 kanë dobësuar aktivitetin ekonomik dhe të biznesit, duke zvogëluar kërkesën për naftë. Importet e naftës së papërpunuar të Kinës për tre tremujorët e parë të vitit ranë 4.3% në bazë vjetore. Por, analistët mendojnë se një rrezik i mëtejshëm për kërkesën për naftë vjen nga Europa, që mund të hyjë në recesion këtë dimër.
Sipas një sondazhi të S&P Global, Eurozona mund të hyjë në recesion, me aktivitetin e biznesit në tetor duke u tkurrur më shpejt në gati dy vjet, pasi rritja e kostove të jetesës i mban konsumatorët të kujdesshëm dhe pakëson kërkesën. Politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane po I qëndrojnë strikt planeve për të vijuar rritjen e normave të interesit edhe nëse kjo e shtyn bllokun në recesion dhe ngjall pakënaqësi politike.
Ndërkohë, disa nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në SHBA sinjalizuan se produktiviteti dhe rritja e vëllimit në pellgun e Permianit, fusha më e madhe e argjilorit në vend, po ngadalësohen.
Paralajmërimet erdhën pikërisht pasi eksportet e naftës në SHBA u rritën në një rekord javën e kaluar, duke i rritur pjesërisht çmimet e Teksasit Perëndimor deri në 3.4%.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.