Çudia e valutave, “fundos” lekun! – Rritje e ndjeshme e euros dhe dollarit. Ekspertët: Efekt i përkohshëm
Të mërkurën në mesditë tregu i këmbimit valutor në Shqipëri regjistroi një trajektore të paparë. Leku është zhvlerësuar ndjeshëm sidomos kundrejt euros, por edhe dollarit amerikan. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro është këmbyer me 104,63 lekë, kundrejt 102,93 lekë të një dite më parë. Thuajse të njëjtën ecuri ka patur edhe dollari amerikan ku u këmbye me 96,52 lekë, kundrejt 94,8 lekë të së martës.
Të pyetur nga SCAN TV për këtë luhatje të pazakontë, lojtarë të tregut e konsideruan momentale. Sipas tyre, ditët e fundit të muajit karakterizohen nga pagesat që duhet të kryejnë kompani, apo institucione. Kështu, që ata mendojnë se brenda pak ditësh gjithshka do t’i rikthehet ecurisë normale që e ka karakterizuar tregun që nga fillimi i vitit.
Ndërkohë, të martën Banka e Shqipërisë, sipas kalendarit të publikuar më herët, ka ndërhyrë në treg duke blerë 5-10 milionë euro. Por, ekspertët e përjashtojnë ndikimin e këtij transaksioni në forcimin e shpejtë të regjistruar nga valutat kryesore kundrejt monedhës sonë kombëtare.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.