Dollari vijon forcimin – Ekzekutivët e bankave amerikane përgatiten për recesion
Dollari është forcuar lehtë edhe në sesionin e sotëm, pasi ekzekutivët e bankave më të mëdha në SHBA kanë paralajmëruar për rreziqet e një recesioni, duke rikthyer vëmendjen e inevestitorëve te asetet e sigurta. Drejtuesit e JPMorgan, Bank of America dhe Goldman Sachs deklaruan se bankat po përgatiten për një përkeqësim të ekonomisë vitin e ardhshëm, pasi inflacioni po dëmton shpenzimet e konsumatorëve.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë gjashtë monedhave kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 105.6, ndërsa në sesionin e kaluar u rrit me rreth 0.3%. Gjithsesi, investitorët po presin të dhënat mbi inflacionin në SHBA, që do të publikohen javën e ardhshme, dhe takimin e Rezervës Federale më 14 dhjetor. Euro po tregtohet në rreth 1.0460 dollarë, ndërsa paundi po tregtohet në mbi 1.21 dollarë.
Në Eurozonë, ndërkohë, zyrtarët e Bankës Qendrore Europiane deklaruan se inflacioni mund të jetë shumë pranë maksimumit dhe deklarata vjen përpara takimit të bankës që zhvillohet javën e ardhshme. Në tregun e kriptomonedhave vijon tendenca në rënie, me bitcoin po tregtohet në rreth 16,700 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1225 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.