Duhet të tatohen ekstra super-fitimet e firmave gjatë krizës?

Në Gjermani po debatohet për një tatim të shtesë së fitimeve të mëdha të sipërmarrjeve këto kohë krize. Akuza: ato po e përdorin inflacionin në rritje për bizneset e tyre.
Ishte kancelari gjerman, Olaf Scholz, ai që së pari kritikoi në Twitter sipërmarrjet që po bëjnë fitime kolosale gjatë kohës së krizës. “Kjo nuk është ok”, shkruajti Olaf Scholz në fillim të korrikut. Nga “kjo nuk është ok” ndërkohë është ngritur kërkesa për një tatim shtesë mbi fitimet e larta të sipërmarrjeve në këto kohë krize. Kërkesa nuk u formulua nga kancelari gjerman, Scholz, por nga kryetarja e partisë demokrate, Saskia Esken dhe bashkëkryetarja e Të Gjelbërve, Ricarda Lang.
Po e përdorin sipërmarrjet inflacionin e lartë për të rritur më tej çmimet dhe për të arritur fitime edhe më të majme? Në SHBA ky debat ka shpërthyer më parë mes studiuesve të ekonomisë, që kanë zbuluar ndërkohë nocionin “lakmiflacion” -pra lakmi dhe inflacion, që do të thotë një inflacion që nxitet më tej nga lakmia e sipërmarrjeve për fitime. Drejtoresha e BQE, Bankës Qendrore Europiane, Isabel Schnabel në një fjalim të fundit është shprehur se “shumë firma në eurozonë edhe nëse pa dyshim jo të gjitha, kanë përfituar nga rritja e fundit e inflacionit.” Kjo deklaratë u interpretua si kritikë ndaj sipërmarrjeve por BQE e pyetur për këtë deklaroi, se nuk është pjesë e punës së Bankës Qendrore Europiane të kritikojë ekonominë private.
Pra jo lakmi, por pasojë e inflacionit? Disa ekonomistë kujtojnë, se në një ekonomi tregu nuk mund të përcaktohet si lakmi maksimizimi i fitimit nga sipërmarrjet. Disa ekspertë në SHBA shohin edhe pasojat e pandemisë si faktor për “lakmiflacionin” – teza e tyre: njerëzit kishin nevojë pas pandemisë për blerje, prandaj çmimet u rritën pjesërisht në mënyrë të ekzagjeruar, si në gastronomi.
Në një dritë tjetër shihen fitimet kolosale të koncerneve të karburanteve, që kanë arritur fitime të mëdha pas luftës në Ukrainë. Por edhe këtu vëzhguesit e ekonomisë presin që fitimet të jenë vetëm të përkohshme, dhe se tregu do të rregullojë çmimet.
Nëse firmat i ngrenë në mënyrë aktive çmimet kjo varet nga fakti se sa fuqi kanë ato në treg. Monopolistët për shembull mund të diktojnë çmimet, në një kohë që rritja e çmimeve në një treg të kufizuar është po ashtu e kufizuar.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.