E drejta e autorit, sportel unik për mbledhjen e shpërblimeve – Udhëzimi/ Agjencitë e administrimit kolektiv nuk do mbledhin më individualisht pagesat
Shpërblimet e “prodhuara” nga të drejtat e autorit do të mblidhen nga një Sportel Unik, i cili do jetë përgjegjës për mbledhjen e tarifave të shpërblimit, në territorin e Republikës së Shqipërisë, për të gjitha kategoritë e mbajtësve të të drejtave në administrimin kolektiv, të administruara nga agjencitë e administrimit kolektiv të licencuara nga Ministria e Kulturës. Qeveria ka përcaktuar përmes një Udhëzimi, se Sporteli unik krijohet si organizatë jofitimprurëse, person juridik në formën e qendrës e cila regjistrohet në gjykatë.
Udhëzimi përcakton se Sporteli unik, mbledh shpërblimet e përdorimit të së drejtës së autorit nga subjektet përdoruese të veprës së autorit, në zbatim të metodologjisë dhe masës së tarifave të shpërblimit në administrimin kolektiv.
Ndërkaq, daljen në skenë të Sportelit unik, asnjë prej agjencive të administrimit kolektiv të licencuara nuk mund të kryejë individualisht funksionin e mbledhjes së tarifave të shpërblimit në administrimin kolektiv kundrejt subjekteve përdoruese. “Ky funksion kryhet vetëm nëpërmjet Sportelit unik, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi”, përcakton Udhëzimi i Këshillit të Ministrave.
Po ashtu, agjencitë e administrimit kolektiv do jenë të detyruara të vendosin në dispozicion të Sportelit unik të dhëna për përdoruesit e së drejtës së autorit, si dhe kontratat në formën joekskluzive për përdorimin e veprave ose objekteve, të drejtave të lidhura.
Sporteli unik më tej realizon mbledhjen kolektive të tarifave të shpërblimit nga subjektet përdoruese dhe i shpërndan këto të ardhura tek AAK-të e licencuara, sipas parashikimeve të ligjit nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.