Ekonomia e Kinës rritet me 3,9% – Në tremujorin e tretë “frenuan” importet dhe sektori imobiliar. Objektivi ishte 5,5%
Kina raportoi se produkti i brendshëm bruto në tremujorin e tretë u rrit me 3.9% në bazë vjetore, më lart se pritshmëritë, por më pak se objektivi zyrtar prej rreth 5.5%. Kontrollet Covid-19 mbi aktivitetin e biznesit, veçanërisht në tremujorin e dytë të vitit, kanë ndikuar në rritjen dhe kanë shtyrë shumë banka investuese të ulin parashikimet e tyre për vitin e plotë në rreth 3%.
Kina gjithashtu publikoi të hënën të dhënat tregtare për shtatorin. Eksportet, një shtytës kryesor i rritjes ekonomike të vendit, tejkaluan pritshmëritë me një rritje prej 5.7%. Megjithatë, importet me bazë vjetore u rritën vetëm me 0.3% në shtator.
Gjatë kësaj periudhe e regjistrua një rënie e sektorit të pasurive të paluajtshme, ndërsa industria e automobilave mbeti një pikë e fortë nën mbështetjen e Pekinit për automjetet e reja me energji. Shitjet me pakicë u rritën me 2.5% në shtator nga një vit më parë, duke u ngadalësuar nga gushti, por shitjet e automjeteve u rritën me 14.2%.
Prodhimi industrial u rrit me 6.3% në shtator nga një vit më pare dhe prodhimi i automobilave u rrit me gati 24%, ndërsa vendi prodhoi më shumë se dyfishin e numrit të automjeteve me energji të re krahasuar me një vit më parë.
Shkalla e papunësisë urbane u rrit në 5.5% në shtator. Për tre tremujorët e vitit, të ardhurat e disponueshme për frymë të banorëve të qytetit u rritën me 2.3% në bazë vjetore duke arritur një mesatare për frymë prej 587 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.