Shqipëria Postuar më 10 Qershor 2026, 11:46

“BE rrit standardin e tregtimit të produkteve shqiptare” - Musabelliu: 65% e legjislacionit teknik për lëvizjen e lirë të mallrave është harmonizuar

Nga Ledina Elezi

“BE rrit standardin e tregtimit të produkteve shqiptare” -

Me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, do të rriten edhe standardet që një biznes shqiptar duhet të plotësojë për të tregtuar produktet në tregun e brendshëm ose atë të jashtëm.

Në Komisionin Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu u shpreh se për sa i përket kapitullit të parë mbi lëvizjen e lirë të mallrave, transpozimi i pjesshëm i legjislacionit ka nisur që prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ndaj vlerësohet që rreth 65% e legjislacionit tonë teknik për sa i përket rregullave dhe produkteve është i linjëzuar me nivelin e Bashkimit Evropian.

“Konkurrencën e produkteve evropiane ne e kemi pasur gjithmonë. Ndërkohë, ajo çfarë ndryshon është një element tjetër, që standardet për të operuar në tregun shqiptar për prodhuesin e vogël shqiptar do të duhet të linjëzohen me standardet e Bashkimit Evropian, që nënkupton se do të rritet standardi kombëtar, por jo se do të ekspozohemi ndaj një konkurrence që deri më sot nuk e kemi pasur. Kjo do të varet shumë nga shkalla e përgatitjes që do të ketë vetë biznesi”, tha Zëvendësministri.  

Aktualisht, po dizenjohet një program kombëtar për përgatitjen e biznesit për tregun e përbashkët evropian, me qëllim që ata të informohen, të rrisin kapacitetet dhe të kuptohet ndikimi që çdo direktivë do të ketë në biznese specifike.

“Ka biznese sot në Shqipëri që prodhojnë mallra jo-ushqimore, të cilët eksportojnë në vendet e Bashkimit Evropian dhe absolutisht këto biznese lehtësohen akoma edhe më shumë ditën e anëtarësimit, ndërkohë që mund të kemi biznese që nuk eksportojnë aktualisht, por tregtojnë në tregun e brendshëm, të cilët do të duhet që të rrisin standardet e tyre, në mënyrë që të funksionojnë edhe në tregun e brendshëm në Shqipëri”, theksoi Musabelliu.

Për sa i përket kapitullit 30 mbi Marrëdhëniet me Jashtë, Musabelliu u shpreh se Shqipëria është në një fazë të avancuar të linjëzimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat