Shqipëria Postuar më 26 Qershor 2026, 10:25

Bizneset shqiptare, grupime ekonomike me partnerë të BE-së/ 250 mijë euro kosto për zbatimin e ligjit dhe sistemet e reja

Nga Diamila Leka

Bizneset shqiptare, grupime ekonomike me partnerë të BE-së/ 250

Bizneset shqiptare do të kenë mundësi të krijojnë struktura të përbashkëta bashkëpunimi me kompani të vendeve të Bashkimit Europian, përmes grupimeve ekonomike me interes evropian.

Projektligji i hartuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit krijon për herë të parë kuadrin ligjor për ngritjen dhe funksionimin e këtyre grupimeve në Shqipëri, duke përafruar plotësisht legjislacionin vendas me rregulloren përkatëse të Bashkimit Evropian. Grupimet do t’u mundësojnë bizneseve të bashkëpunojnë për projekte të përbashkëta në eksport, turizëm, teknologji apo shërbime profesionale, pa qenë e nevojshme të krijojnë një shoqëri të re tregtare.

Sipas relacionit, nga rreth 130 mijë ndërmarrje aktive në Shqipëri, vetëm 5.3 për qind kanë pjesëmarrje të huaj ose të përbashkët, çka tregon një potencial ende të pashfrytëzuar për partneritete ndërkufitare.

Grupimi do të regjistrohet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe do të fitojë personalitet juridik. Ai mund të ketë deri në 20 anëtarë dhe nuk mund të punësojë më shumë se 500 persona. Vendimet kryesore, përfshirë pranimin e anëtarëve të rinj apo ndryshimin e kontratës, do të kërkojnë miratimin unanim.

Anëtarët do të mbajnë përgjegjësi të pakufizuar dhe solidare për detyrimet e grupimit. Fitimet dhe humbjet nuk do të tatohen në nivel grupimi, por do t’u kalojnë drejtpërdrejt anëtarëve. Zbatimi i ligjit parashikohet të kushtojë rreth 250 mijë euro për trajnimin e stafit dhe përmirësimin e sistemeve të QKB-së. Sistemi elektronik pritet të lidhet me regjistrat evropianë të biznesit deri në fund të vitit 2027

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat