Shqipëria Postuar më 25 Qershor 2026, 12:30

Investim 13 milionë euro për modernizimin e rrjetit elektrik në Kamzë – Karakaci: Kanë përfunduar 40% e punimeve

Nga Edel Strazimiri

Investim 13 milionë euro për modernizimin e rrjetit elektrik në

Punimet për ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik në Kamzë kanë arritur në 40% të realizimit, ndërsa investimi pritet të përmirësojë ndjeshëm sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike për mijëra abonentë në zonë.

Gjatë një vizite në kantier, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e cilësoi projektin si një nga investimet më të rëndësishme në sektorin energjetik, duke theksuar se ai po zbatohet falë bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane.

“Ky është një projekt strategjik që shkon përtej ndërtimit të një nënstacioni të ri. Ai është pjesë e një programi prej 30 milionë eurosh që përfshin digjitalizimin e nënstacioneve dhe rehabilitimin e 12 nënstacioneve të tjera në vend”, u shpreh Karakaçi.

Sipas ministrit, investimi prej 13 milionë eurosh do të modernizojë rrjetin e shpërndarjes përmes vendosjes së fiderave të rinj 20 kilovolt, duke rritur kapacitetet dhe besueshmërinë e sistemit.

Nga ana e tij, administratori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Blendian Dalipi, bëri të ditur se nënstacioni i ri 120 kilovolt do të zëvendësojë infrastrukturën ekzistuese, e cila ka qenë në funksion prej rreth gjashtë dekadash.

“Ky investim do të rrisë ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji për afro 5 mijë abonentë, ndërsa kapaciteti do të zgjerohet nga 8 megavat në 80 megavat, pra dhjetë herë më shumë se aktualisht”, tha Dalipi.

Ai shtoi se punimet kanë nisur në tetor të vitit 2025 dhe synohet të përfundojnë në mars të vitit 2027. Paralelisht me ndërtimin e nënstacionit, po vijon edhe faza e dytë e projektit, e cila parashikon instalimin e tetë fiderave të rinj dhe zgjerimin e rrjetit të tensionit të ulët.

Në inspektim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, i cili vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e energjisë.

“Është koha e duhur që ky nënstacion i vjetër të zëvendësohet me një infrastrukturë moderne, e cila do të garantojë një furnizim më të qëndrueshëm me energji për qytetarët”, deklaroi Bergner.

Ambasadori theksoi gjithashtu se investimet e përbashkëta në sektorin energjetik, përfshirë linjën 400 kilovolt me Maqedoninë e Veriut, do të rrisin stabilitetin e rrjetit dhe do të krijojnë mundësi më të mëdha për eksportin e energjisë elektrike nga Shqipëria, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat