Shqipëria Postuar më 9 Qershor 2026, 10:11

“Të Rinjtë Munden për Mirëqenie dhe Punësim” - “SOS Fshatrat e Fëmijëve” dhe AKPA firmosin memorandum bashkëpunimi

Nga Diamila Leka

“Të Rinjtë Munden për Mirëqenie dhe

Nga pasiguria drejt vetëbesimit, aftësimit profesional dhe punësimit. Ky është synimi i projektit të ri “Të Rinjtë Munden për Mirëqenie dhe Punësim”, i prezantuar zyrtarisht nga “SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri”.

Nisma do të zgjasë 4 vite dhe do të përfshijë të rinj të moshës 15 deri në 29 vjeç në Tiranë dhe Shkodër, me qëllim mbështetjen e tyre në kalimin drejt tregut të punës dhe pavarësisë financiare.

Në qendër të projektit është jo vetëm punësimi, por edhe mirëqenia emocionale, orientimi drejt shërbimeve mbështetëse dhe fuqizimi i të rinjve për të marrë vendime të informuara për të ardhmen e tyre.

“YouthCan lindi nga dëgjimi i zërit të të rinjve. Ne besojmë fort se çdo i ri ka potencial, çdo i ri ka aftësi, çdo i ri ka ëndrra dhe, mbi të gjitha, çdo i ri meriton mundësi reale për të ecur përpara. Sot nuk po lançojmë vetëm një projekt. Sot po lançojmë një besim të përbashkët: që të rinjtë munden, që të rinjtë meritojnë mundësi dhe që së bashku mund të ndërtojmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë”, tha Mimoza Manaj, Drejtore Nacionale, SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri.

Mbështetje për projektin dha edhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. Drejtori i Përgjithshëm i AKPA-s, Klevis Hysa, e cilësoi nismën si një instrument të rëndësishëm për orientimin e të rinjve drejt tregut të punës, formimit profesional dhe shërbimeve ekzistuese të punësimit.

“SOS Fshatrat e Fëmijëve është ndër organizatat që ka pasur një ndikim të madh në komunitet dhe te të rinjtë gjatë këtyre 30 viteve. Besoj fort se YouthCan do të jetë në të njëjtën linjë me këtë ndikim, duke i mbështetur të rinjtë në hapat e tyre drejt jetës dhe punës. Ky projekt synon t’i informojë të rinjtë për mundësitë që ekzistojnë në treg dhe t’i orientojë drejt shërbimeve të punësimit, aftësimit dhe formimit profesional.”

Pjesë e rëndësishme e lançimit ishte edhe forcimi i bashkëpunimit institucional. Në këtë kuadër, u nënshkruan dy Memorandume Mirëkuptimi, një mes SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri dhe AKPA-s, si dhe një tjetër me Agjencinë e Rinisë dhe Mirëqenies Sociale pranë Bashkisë së Tiranës.

Përmes këtij projekti, synohet krijimi i një ure më të fortë mes të rinjve, institucioneve publike dhe tregut të punës, duke i dhënë atyre më shumë mundësi për zhvillim profesional, pavarësi ekonomike dhe integrim social.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat