Analiza Postuar më 18 Qershor 2026, 10:24

Mallrat “Made in Albania”, më shumë drejt Kroacisë dhe SHBA/ Eksportet shqiptare diversifikohen, Italia humbet peshë përgjatë pesëmujorit

Nga Scan TV

Mallrat “Made in Albania”, më shumë drejt Kroacisë

Të dhënat nga INSTAT për pesëmujorin e parë të vitit 2026 tregojnë një zgjerim të eksporteve shqiptare drejt vendeve të rajonit, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa Italia dhe Spanja kanë shënuar rënie të ndjeshme.

Sipas shifrave, eksportet shqiptare arritën në rreth 158 miliardë lekë në periudhën Janar-Maj 2026, me një rritje prej 4.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, pavarësisht rritjes së përgjithshme, tregjet kryesore kanë shfaqur ecuri të ndryshme.

Italia mbetet partneri më i madh tregtar i Shqipërisë, por eksportet drejt saj ranë me 5.6%, duke zbritur në rreth 60.7 miliardë lekë. Rënie edhe më e fortë u regjistrua drejt Spanjës, ku eksportet u tkurrën me 41.8%, një nga uljet më të mëdha mes partnerëve kryesorë tregtarë.

Në të kundërt, eksportet drejt Kinës u rritën me 83.3%, duke arritur në mbi 6.5 miliardë lekë, ndërsa eksportet drejt Shteteve të Bashkuara u zgjeruan me 75.9%, në mbi 3.2 miliardë lekë. Rritje të fortë shënuan edhe Turqia me 25.7%, Kroacia me 38.4%, si dhe Kosova dhe Maqedonia e Veriut, me rritje përkatësisht 13.9% dhe 14.4%.

Edhe Gjermania dhe Greqia vijuan të forcojnë rolin e tyre si destinacione të rëndësishme për mallrat shqiptare, me rritje mbi 21% në të dyja rastet, duke kompensuar pjesërisht dobësinë e eksporteve drejt Italisë dhe Spanjës.

Sa i përket importeve, Shqipëria vijon të mbështetet kryesisht te Kina, nga ku importet u rritën me 26.2%, duke arritur në mbi 52.3 miliardë lekë. Rritje shënuan gjithashtu importet nga Rusia me 45.8%, Kosova me 13.4%, Greqia me 4.9% dhe Zvicra me 7%.

Nga ana tjetër, importet nga Italia, partneri më i madh tregtar i vendit, ranë lehtë me 0.7%, ndërsa tkurrje u regjistrua edhe për Gjermaninë, Turqinë, Maqedoninë e Veriut , Spanjën dhe Ukrainën.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat