Analiza Postuar më 7 Korrik 2026, 10:36

Mbi 123 mijë tonë ullinj për vaj në vitin 2025/ Sektori mbetet i orientuar drejt përpunimit. Fieri, zemra e ullishtarisë shqiptare

Nga Xhorxhina Deda

Mbi 123 mijë tonë ullinj për vaj në vitin 2025/ Sektori

Prodhimi i ullinjve në Shqipëri arriti në 143.4 mijë tonë gjatë vitit 2025, duke mbetur në një nga nivelet më të larta të viteve të fundit, pavarësisht një rënieje të lehtë prej 2.3% krahasuar me vitin 2024. Të dhënat e përpunuara nga INSTAT tregojnë se sektori vazhdon të dominohet nga prodhimi i ullinjve për vaj, ndërsa Fieri mbetet qendra kryesore e kultivimit në vend.

Pas prodhimit prej 146.7 mijë tonësh në vitin 2024, sasia e ullinjve të vjelë këtë vit ra me rreth 3,300 tonë. Megjithatë, prodhimi i vitit 2025 mbetet dukshëm më i lartë se ai i vitit 2023, kur u regjistruan 117.6 mijë tonë, duke konfirmuar një nivel të qëndrueshëm të sektorit pas luhatjeve të viteve të fundit.

Nga prodhimi i përgjithshëm, 123.7 mijë tonë, ose rreth 86%, janë ullinj të destinuar për prodhimin e vajit, ndërsa 19.6 mijë tonë janë ullinj tavoline. Kjo tregon se industria e vajit të ullirit vazhdon të jetë destinacioni kryesor i prodhimit vendas.

Në nivel qarqesh, Fieri kryeson me 48.5 mijë tonë, duke kontribuar me rreth një të tretën e prodhimit kombëtar. Pas tij renditen Elbasani me 26 mijë tonë, Berati me 24 mijë tonë dhe Vlora me 20.5 mijë tonë. Këto katër qarqe së bashku prodhojnë mbi 83% të të gjithë ullinjve të vendit.

Edhe në nivel bashkish dominojnë zonat tradicionale të ullishtarisë. Lushnja renditet e para me 13.8 mijë tonë, e ndjekur nga Mallakastra me 13.4 mijë tonë, Fieri me 11 mijë tonë, Elbasani me 10 mijë tonë dhe Berati me rreth 9 mijë tonë. Në anën tjetër, disa bashki raportojnë prodhim simbolik ose nuk regjistrojnë fare kultivim ullinjsh, ndërsa qarqet Dibër, Korçë dhe Kukës vijojnë të mos kenë prodhim.

Shifrat konfirmojnë se ullishtaria shqiptare mbetet e përqendruar kryesisht në zonat me klimë mesdhetare të Shqipërisë së Mesme dhe Jugut, ku kushtet natyrore favorizojnë kultivimin e ullirit dhe prodhimin e vajit, një prej produkteve bujqësore me peshën më të madhe në vend.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat