Analiza Postuar më 17 Qershor 2026, 13:46

Shqipëria “barazon” Europën! Norma e inflacionit në muajin Maj vlerësohet në 3.3%

Nga Xhorxhina Deda

Shqipëria “barazon” Europën! Norma e inflacionit në

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, që mat rritjen e çmimeve sipas metodologjisë së ‘Agjencisë Europiane të Statistikave’, në muajin Maj të këtij viti regjistrohet në 3.3%. Ndërkohën nga ana tjetër, inflacioni sipas ‘INSTAT’ për të njëjtën periudhë fiksohet në 3%, duke prekur objektivin e Bankës së Shqipërisë. 

Të dhënat zyrtare tregojnë se inflacioni mesatar në Europë përllogaritet po në 3.3%, që do të thotë se aktualisht rritja e çmimeve në vendin tonë kanë barazuar ritmin e mesatares europiane. Ndërkohë, nga ana tjetër, vendet me normën më të lartë të çmimeve në Europë përgjatë Majit të këtij viti janë Rumania me 9.7%, Kosova me 6.8% dhe Bullgaria me 6.3%.

Nëse analizojmë rritjen e çmimeve sipas vendeve të rajonit, shifrat tregojnë se Shqipëria pozicionohet relativisht mirë krahasuar me disa nga fqinjët në rajon, përfshirë edhe Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Por, nga ana tjetër, vendi ynë ka një inflacion më të lartë se disa vende si Italia apo Gjermania.

Sipas shifrave, inflacioni në muajin Maj shfaqet më i lartë se në muajin Prill pothuaj në të gjitha vendet, kjo për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, nëse flasim për ndryshimin vjetor të grupeve shohim se rritja më e madhe e çmimeve u regjistrua në grupin “Argëtim, sport dhe kulturë” me 7.3% pasuar nga grupet “Pije alkolike dhe duhan” me 4.8%, “Transporti” me 4.2%, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4.0%, “Kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 3.9%, “Restorante dhe shërbime akomodimi” me 3.4%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3.3%, “Shërbimi arsimor” me 2.6%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1.9%, “Shëndeti” me 1.5%, “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 1.3%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Informacioni dhe komunikimi” me 0.6% secili.

Në Maj 2026, çmimet e konsumit u rritën me 0.2%, krahasuar me muajin e mëparshëm. Rritja mujore u ndikua kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Argëtim, sport dhe kulturë” me 1.8%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat