Analiza Postuar më 5 Qershor 2026, 11:33

Shqiptarët, më pak të bindur për garën në Ballkan/ Vetëm një në tre biznese shqiptare beson se konkurron me rajonin

Nga Xhorxhina Deda

Shqiptarët, më pak të bindur për garën në Ballkan/

Vetëm 36% e kompanive në Shqipëri deklarojnë se janë plotësisht dakord që produktet, mallrat dhe shërbimet e tyre mund të konkurrojnë me sukses me ato të ekonomive të tjera të rajonit, sipas të dhënave të publikuara në “Barometrin e Ballkanit 2025”. Megjithatë, 40% e bizneseve shqiptare shprehen se “priren të pajtohen” me këtë vlerësim, gjë që tregon se shumica e sipërmarrjeve kanë një perceptim përgjithësisht pozitiv, por jo plotësisht të konsoliduar për pozicionin e tyre në tregjet rajonale.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria renditet nën mesataren rajonale për sa i përket nivelit të besimit në konkurrueshmëri. Në shkallë rajoni, 53% e bizneseve janë plotësisht dakord se mund të konkurrojnë me sukses në Ballkanin Perëndimor, ndërsa 25% të tjera priren të pajtohen me këtë vlerësim.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Kosova shfaq nivelin më të lartë të vetëbesimit të biznesit, ku 75% e kompanive deklarojnë se janë plotësisht dakord për aftësinë e tyre konkurruese. Pas saj renditen Bosnje Hercegovina me 63% dhe Mali i Zi me 59%. Serbia regjistron 46%, ndërsa Maqedonia e Veriut 38%.

Një element që bie në sy është se Shqipëria ka pësuar rënie krahasuar me një vit më parë. Në Barometrin e Ballkanit 2024, 50% e bizneseve shqiptare deklaronin se ishin plotësisht dakord për konkurrueshmërinë e tyre rajonale. Në vitin 2025 kjo shifër ka zbritur në 36%, duke reflektuar një dobësim të perceptimit të sipërmarrjeve për pozicionin e tyre në treg.

Nga ana tjetër, pesha e kompanive që “priren të pajtohen” është rritur nga 29% në 40%, çka sugjeron se një pjesë e bizneseve kanë kaluar nga bindja e plotë në një qëndrim më të kujdesshëm. Ndërkohë, niveli i atyre që nuk janë dakord ose që shfaqin rezerva mbetet relativisht i ulët.

Rezultatet e Barometrit të Ballkanit 2025 sugjerojnë se, ndonëse bizneset shqiptare mbeten përgjithësisht optimiste për mundësitë e tyre në rajon, ato janë bërë më të kujdesshme në vlerësimin e konkurrueshmërisë së tyre krahasuar me një vit më parë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat