ANALIZË/ ‘Ethereum Merge’: Çfarë do të thotë kjo “shkrirje” për industrinë e kriptomonedhave?
Tregu i kriptomonedhave ka qenë nën presion të madh muajt e fundit, por pavarësisht frikës, javën e kaluar u bë publik, një ndryshim i shumëpritur i softuerit të një prej platformave më të njohura të kriptomonedhave, konkretisht Ethereum.
Ndryshimi që u emërtua ‘Shkrirja’ është vonuar disa herë që nga njoftimi i parë për të në 2014-ën, duke ngritur shumë pikëpyetje për arritjen e një strategjie konsensusi alternativ, me efikasitet energjetik për industrinë.
Crypto ka qenë në pritje për të shkuar një hap më tej drejt qëndrueshmërisë. Prej kohësh pritej që jo vetëm të optimizohej propozimi i vlerës që paraqesin aplikacionet e kriptove dhe blockchain për përdoruesit e kriptove, por edhe për novatorët e klimës Web3, gjenerata e re e mbrojtësve të mjedisit, si dhe të ndihmohen përpjekjet e SHBA-së për klimën më gjerësisht.
Nëse ecuria e “Ethereum Merge” shkon mirë, do të kemi një lançim rreth 13-15 shtator. Ky migrim do të zhvendosë Ethereum nga sistemi i tij aktual i Dëshmisë së Punës (PoW) në një system të Dëshmisë së Aksioneve (PoS).
Sipas Fondacionit Ethereum, një ndryshim i tillë, do të zvogëlojë përdorimin e energjisë së rrjetit me 99.95% dhe do të vendosë themelet për përmirësime të mëtejshme në infrastrukturën e tij kryesore. Në një nivel tjetër, bashkimi i Ethereum mund të ndryshojë gjithë qasjen e kësaj industrie ndaj problemeve klimatike.
Çfarë janë Dëshmia e Punës (Proof –of-Work) dhe Dëshmia e Aksioneve(Proof-of-Stake)?
PoW dhe PoS janë protokolle të destinuara për të vërtetuar transaksionet dhe për të mbajtur rrjetin blockchain të decentralizuar dhe të sigurt. PoW është mekanizmi që bitcoin përdor për të rregulluar krijimin e blloqeve dhe integritetin e rrjetit përmes procesit të minimit. PoS është një mekanizëm alternativ konsensusi që delegon kontrollin e rrjetit te pronarët e një ‘tokeni’ të caktuar. PoW është kritikuar prej kohësh për intensitetin e energjisë që përdor.
Pse është i rëndësishëm Ethereum Merge?
“Shkrirja” e Ethereum është një ngjarje historike për kriptomonedhat. Siç vetë Justin Drake, (një nga studiuesit kryesorë të Ethereum-it) ka thënë: “Shkrirja rrit në mënyrë dramatike sigurinë e Ethereum. Një hacker duhet të ketë nën zotërim 51% të vlerës së blockchain për të marrë kontrollin e kriptove. Me PoW (mekanizmin e hershëm të Ethereum), nevojiten rreth 5 miliardë dollarë, për të blerë aq kompjuterë dhe transformatorë, sa të krijohet një rrjet dhe të kryhet një sulm. Me PoS (sistemi Ethereum Merge), duhen rreth 20 miliardë dollarë siguri ekonomike për të kryer një sulm”.
“Aspekti tjetër i rëndësishëm i Ethereum Merge është fakti që me 51% vlerë të aksioneve, edhe nëse kryhet një sulm, autori mund ta identifikohet me saktësi dhe të nxirret nga sistemi. Për më tepër, individi në fjalë mund të penalizohet me shkatërrimin e gjithë aksioneve që zotëron. Thënë kjo, edhe nëse do tentohet një sulm i dytë, hacker-at duhet të riblejnë aksionet”.
Përveç rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes nga mashtrimi, Ethereum Merge do të ndikojë në një rrjet të gjerë mjetesh dhe shërbimesh që funksionojnë në zinxhirin e bllokut Ethereum, konkretisht: aplikacionet e decentralizuara (dApps), protokollet e financave të decentralizuara (DeFi), po ashtu ndikim do ketë edhe në miliona tokena jo të këmbyeshëm (NFT). Për më tepër, duke pasur parasysh se sa i shtrirë dhe me ndikim është Ethereum, ky tranzicion ka të ngjarë të ketë një efekt të shpejtë në ndikimin pozitiv të industrisë së kriptove drejt ndryshimeve të klimës.
Është e rëndësishme të theksohet, se Ethereum Merge nuk është kulmi i gjithçkaje. Ka një sërë fazash të tjera që Fondacioni Ethereum planifikon të ekzekutojë. Sipas bashkëthemeluesit të Ethereum, Vitalik Buterin, fondacioni do të merret me “Surge, The Verge, the Purge dhe Splurge”, të cilat të gjitha synojnë ta bëjnë Ethereum më të shpejtë, më të sigurt dhe më të decentralizuar.
Çfarë do të thotë për kripto-valutat më shumë qëndrueshmëri?
Një tranzicion i suksesshëm në PoS do të vërtetonte se industria e kriptove ka fuqinë të përshtatet në favor të mirëqenies sonë planetare. Nëse marrim parasysh raportin e Zyrës së Politikës së Shkencës dhe Teknologjisë të Shtëpisë së Bardhë (OSTP) mbi Implimentimet e Klimës dhe Energjisë të Kripto-Aseteve në Shtetet e Bashkuara, shkrirja e Ethereum ka të ngjarë të fuqizojë kërkimin dhe bashkëpunimin e mëtejshëm midis industrisë së kriptove dhe Kongresit.
OSTP deklaroi në një raport të fundit se: “Agjencitë federale duhet të ofrojnë asistencë teknike dhe të iniciojnë një proces bashkëpunimi me shtetet, komunitetet, industrinë e kripto-aseteve dhe të tjerë për të zhvilluar standarde efektive të performancës mjedisore të bazuara në prova”. Ky vlerësim tregon se Shtëpia e Bardhë e pranon kontributin pozitiv që mund të japë industria e kriptove në tranzicionin e energjisë së pastër për vendin.
Burimi: World Economic Forum
Përshtatur nga: Xhenisa Xhangoli/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.