Euro rikuperon pjesërisht humbjet – Të dhënat e dobëta mbi shitjen e shtëpive në SHBA, presion mbi dollarin
Dollari amerikan dhe jeni japonez, që cilësohen si parajsa të sigurta kanë pasur një tendencë në rënie gjatë sesionit të sotëm. Megjithatë, në terma afatmesëm analistët parashikojnë se, euro dhe dollari amerikan do të shkojnë drejt paritetit, që do të jetë hera e parë në 20 vitet e fundit. Edhe ditën e sotme, euro vijon të kuotohet pranë 1.05 dollarëve amerikanë, ndërsa për një periudhë një vjeçare ka pasur një tendencë vetëm në rënie.
Në sesionin e kaluar, euro humbi rreth 0.8% të vlerës në raport me dollarin amerikan, ndërsa gjatë ditës së sotme rikuperoi një pjesë të këtyre humbjeve. Në qershorin e vitit 2021, euro kuotohej në rreth 1.22 dollarë. Për sa i përket të dhënave të sotme, shifrat e dobëta mbi shitjen e shtëpive në SHBA kanë ushtruar presion mbi dollarin amerikan.
Gjithashtu, edhe retorika e shefit të Rezervës Federale, Jerome Powell, për shtrëngimin e politikave monetare derisa inflacioni të stabilizohet kanë kufizuar humbjet. Sipas analistëve, qëndrimi i Powell mund ta ngadalësojë ekonominë amerikane, e cila thuajse është rimëkëmbur plotësisht nga pandemia e Covid-19. Në tregun e kriptovalutave, Bitcoin po tregtohet i qëndrueshëm në mbi 29 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1960 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.