Euro zgjeron fitimet përballë USD – Mbështetet nga politika monetare shtrënguese e BQE
Euro ka vijuar tendencën në rritje edhe në sesionin e sotëm dhe po qëndron në nivelin më të lartë në 9 muajt e fundit përballë dollarit amerikan. Investitorët po përllogarisin rreziqet për një recesion të mundshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe efektet që do të ketë politika monetare e Rezervës Federale.
Në anën tjetër, monedha europiane po mbështetet nga komentet e zyrtarëve të Bankës Qendrore Europiane, të cilët thanë se politika monetare agresive do të vijojë. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 101.9, niveli më i ulët në 7 muajt e fundit.
Analistët e tregut të parasë parashikojnë se Rezerva Federale do të bëjë edhe dy rritje të interesave me 25 pikë bazë, deri në qershor, për të çuar normën bazë të interesit në 5%. Ndërkohë, Banka Qendrore Europiane mund të bëjë edhe dy rritje të tjera të interesave me 50 pikë bazë, në secilin prej dy takimeve të ardhshme. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin ka vijuar tendencën në rritje dhe po tregtohet në rreth 23 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1630 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.