Europa përballë krizës ushqimore, pas asaj energjetike – Mbyllja e fabrikave për shkak të racionimit të gazit rrit çmimet e ushqimeve

Çmimet e ushqimeve në botë shënuan një rekord në fillim të këtij viti, pasi pushtimi rus i Ukrainës privoi botën nga produktet kryesore, duke përfshirë grurin dhe vajrat bimore. Dhe ndërsa kostot globale kanë filluar të lehtësohen – duke shënuar rënie për muajin e katërt rradhazi në korrik – konsumatorët nuk kanë gjasa të marrin frymë lirshëm.
Kjo për shkak se prodhuesit e ushqimit në Europë tani po përballen me çmimet e larta të energjisë, me tregtimin e gazit, qymyrit dhe energjisë elektrike në nivele shumë më të larta se normalja. Dhe më e keqja nuk ka ardhur ende, ndërsa ditët e errëta dhe të ngrira të dimrit do të fillojnë, duke rritur kërkesën për energji për ngrohje dhe prodhimin e energjisë.
Kompanitë që kthejnë farat e sojës dhe lulediellit në vajra gatimi po ngadalësojnë prodhimin në Mbretërinë e Bashkuar dhe Europë dhe po e zhvendosin prodhimin në rajone të tjera me çmime më të ulëta të energjisë. Përpunimi i farave vajore në Mbretërinë e Bashkuar dhe Europë ra 3.2% në qershor në nivelin më të ulët që nga 2019, sipas të dhëbave nga grupi i industrisë Fediol.
Perspektiva është aq e frikshme sa qeveritë kanë filluar të ndërhyjnë. Bashkimi Europian miratoi javën e kaluar një paketë ndihme prej 110 milionë euro për të mbështetur kompanitë në sektorin e bujqësisë që janë prekur nga rritja e energjisë, dhe lëndëve të para për shkak të luftës në Ukrainë.
Fabrikat e produkteve ushqimore që shpenzojnë shumë energji në të gjithë Europën mund të detyrohen të mbyllen nëse mungesa e gazit natyror shkakton racionim. Gjermania ka miratuar tashmë planin e dytë të një plani emergjence me tre faza, dhe tjetri mund të shkaktojë mbyllje në të gjithë industritë. Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka një plan që përfshin reduktimin ose shkurtimin e furnizimeve për fabrikat. Skenarët e tillë të rasteve më të këqija mund të rezultojnë në kosto edhe më të larta ushqimore.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.