Europianët punojnë më pak se të gjithë – Studimi i FMN, që bën krahasimin me periudhën e pandemisë
Kuptimi i jetës duket se po gjendet nga gjithnjë e më shumë njerëz, pasi orët e punës janë reduktuar, kryesisht në Europë, trend në të cilin burrat dhe studentët kryesojnë, sipas një studimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Tre vjet pas krizës së koronavirusit, punësimi dhe orët totale janë rikuperuar plotësisht, por jo orët mesatare për punëtor, raportojnë autorët e studimit të titulluar “Zbërthimi i rënies së orëve mesatare të punës në Europë”, i cili krahason shifrat e sotme me ato para periudhës së pandemisë, por edhe para kësaj. Më e rëndësishmja, përfundojnë ata, kjo prirje ‘nuk është ciklike, por kryesisht strukturore, pasi zgjeron trendin afatgjatë që i parapriu COVID-19’ dhe duket e pamundur të ndryshojë në të ardhmen.
Siç nënvizon raporti, bazuar në të dhënat e Eurostat-it, orët totale të punës në Europë tani janë të ngjashme me ato të vitit 2019 dhe në disa raste më të ulëta, por ky nuk është rasti për orët mesatare të punës për punonjës, të cilat janë pak më poshtë 37 në javë.
Orari mesatar i punës në ekonomitë e zhvilluara ka qenë në një prirje rënëse afatgjatë që nga shekulli i 19-të. Në përgjithësi, orët mesatare të punës në vendet e OECD ranë me rreth 0.5% në vit midis viteve 1870 dhe fillimit të viteve 2000, theksojnë studiuesit. Reduktimi i kohës mesatare të punës është përqendruar në tre grupe: të rinj, burra dhe burrat me fëmijë të vegjël në veçanti.
Në rastin e të rinjve, rritja e incidencës së punonjësve me kohë të pjesshme që studiojnë në të njëjtën kohë mund të shpjegojë rënien. Për burrat në përgjithësi, duke përfshirë ata me fëmijë të vegjël, rënia vlen si për punëtorët me kohë të plotë ashtu edhe për ata me kohë të pjesshme. Ky zbulim është çuditërisht i qëndrueshëm në të gjithë vendet evropiane.
Analiza thekson se meshkujt vazhdojnë të punojnë mesatarisht më shumë orë (39.9 orë) sesa femrat (34.7 orë), “por ky hendek gjinor është ngushtuar me kalimin e kohës, ashtu si edhe për gjinitë në shkallën e punësimit”. Pas këtij fenomeni qëndron fakti se gratë vazhdojnë të bëjnë pjesën më të madhe të kujdesit për fëmijët. Gjithashtu, orët e punës së grave me fëmijë janë rritur lehtë.
Duke u fokusuar në grupe të tjera demografike, studimi i FMN-së thekson gjithashtu se punëtorët e moshës 55 deri në 64 vjeç dhe ata të moshës 65 vjeç e lart kanë parë një rritje në përqindjet e tyre të punësimit pasi moshat e pensionit janë rritur në shumicën e vendeve evropiane, por mesatarja e orëve është zvogëluar për edhe ata.
Raporti parashikon se orët mesatare të punës do të vazhdojnë të bien në vendet europiane, me një ritëm që do të varet nga produktiviteti dhe rritja e pagave. Sa më shumë produktivitet dhe vlerë e shtuar në aktivitetin ekonomik, aq më intensive priten ndryshimet. Në terma afatgjatë, FMN paralajmëron për rolin kyç që do të luajë inteligjenca artificiale, si dhe masat e miratuara për të kufizuar ngrohjen globale.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.