Fond kontigjence për luhatjet e kursit të këmbimit – Dokumenti/ Për çdo vit të parashikohet fond 0.7% e buxhetit për kompensim
Luhatjet e kursit të këmbimit shihen me shqetësim nga Qeveria, e cila ka parashikuar masa mbrojtëse në terma afatmesëm për këtë qëllim. Për periudhën 2025-2027, ajo parashikon krijimin e një fondi kontingjence pikërisht për t’u mbrojtur nga luhatjet e forta të lekut në raport me valutat, si dhe nga normat e interesit. Në Kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal 2025-2027, ajo përcakton që për ccdo vit
Në çdo vit buxhetor të planifikuar duhet të përfshihet një kontingjencë e veçantë, prej jo më pak se 0.7 për qind e shpenzimeve totale të buxhetit, për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në nivelin e borxhit, thekson Qeveria në Dokument. “Në përputhje me këtë dispozitë (rregulla fiskale) të Ligji Organik i Buxhetit, kuadri 2025–2027 përfshin për çdo vit në një zë të veçantë të tij, emërtuar “Kontigjencë për risqet e borxhit etj.”, një kontigjencë prej jo më pak se 0.7 për qind e shpenzimeve totale”, specifikohet në programin e tavanave buxhetore afatmesme.
Po ashtu, Qeveria nuk përjashton mundësinë që ndonjë luhatje e fortë në kursin e këmbimit të ndikojë ndjeshëm te borxhi i jashtëm në terma afatmesëm. Në buxhetin e vitit 2024 ajo parashikon që shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 66.2 miliardë lekë ose 2.7% të PBB-së, por për shkak të pasigurive ajo ka parashikuar dhe një rezervë prej 5.3 miliardë lekë apo afërisht 50 milionë euro për të mitiguar risqet e mundshme nga luhatjet e normave të interesit, apo kursit të këmbimit.
Ndërkohë që në Dokumentin e Programit të Reformave Ekonomike (ERP) 2024–2026, Qeveria thekson se ecuria e borxhit të jashtëm sjell me vete pasiguri, shkak për të cilin ajo llogarit edhe dy skenarë risku, duke simuluar efekte të diferencuara të goditjeve ndaj normës së interesit dhe ndaj kursit të këmbimit. Në skenarin e parë të Qeverisë, norma mesatare e interesit që paguhet për borxhin e jashtëm rritet në mënyrë të përhershme me dy devijime standarde përgjatë horizontit parashikues. Në skenarin e dytë, monedha vendëse merr një goditje nënçmuese jopermanente prej 10% krahasuar me skenarin bazë për vitin 2023.
Rezultatet e simulimit tregojnë për një ndjeshmëri më të madhe të borxhit të jashtëm bruto ndaj një nënçmimi prej 10% të monedhës. Devijimet e raportit të borxhit ndaj PBB-së në fund të horizontit parashikues krahasuar me skenarin bazë, janë rreth 3 pikë përqindjeje në rastin e goditjes së normave të interesit dhe rreth 6 pikë përqindjeje në raport me Produktin e Brendshëm bruto në rastin e nënçmimit të kursit të këmbimit. Në këtë rast, borxbi i jashtëm do ngrihej në 54% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.