Ford shkurton 3.000 vende pune – Nis procesin e ristrukturimit për të konkurruar Tesla në automjetet elektrike

Kompania Ford Motor njoftoi se do të shkurtojë gjithsej 3,000 vende pune, kryesisht në Amerikën e Veriut dhe Indi, ndërsa ka nisur procesin e ristrukturimit për të konkurruar Teslën në garën për të zhvilluar automjete elektrike të drejtuara nga softueri.
Shefi Ekzekutiv i Ford, Jim Farley, ka deklaruar edhe më parë se kompania me qendër në Michigan, kishte më shumë fuqi punëtore sesa duhej pasi industria e automjeteve elektrike kalon nëpër procesin dixhital.
Ashtu si prodhuesit e tjerë të njohur të automjeteve, Ford ka një fuqi punëtore të punësuar kryesisht për të mbështetur një linjë produktesh tradicionale të teknologjisë me djegie të brendshme. Ashtu si Tesla, Ford dëshiron të gjenerojë më shumë të ardhura përmes shërbimeve që varen nga softueri dixhital.
Rritja e çmimeve për bateritë, lëndët e para dhe transportin po ushtron presion shtesë mbi Ford-in dhe prodhuesit e tjerë të automjeteve. Megjithatë, Ford i ka qëndruar parashikimit të fitimit për vitin e plotë, pavarësisht nga 3 miliardë dollarë kosto më të larta për shkak të inflacionit.
Ford ka filluar t’i ndajë operacionet e tij në operime elektrike, motorë me djegie të brendshme dhe automjete komerciale. Farley tha në korrik se “ulja e kostos do të ndodhë” në operacionet e djegies së brendshme. Por, së fundmi ai deklaroi se shkurtimet e stafit do të prekin të gjitha pjesët e kompanisë.
Rivali i Ford, General Motors në fund të vitit 2018 deklaroi se do të shkurtonte 14,000 vende pune, ndërsa përgatitej të përshpejtonte strategjinë e saj të automjeteve elektrike.
Operacionet e Ford, GM dhe Stellantis në Amerikën e Veriut do të përballen me një sfidë të re të fuqisë punëtore vitin e ardhshëm, ndërsa ata fillojnë negociatat për kontratën me sindikatat e United Auto Workers, e cila përfaqëson punonjësit në SHBA.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.