Gjermania dhe shtetet e Azisë Qendrore shprehin mbështetje për “Korridorin e Mesëm”!
Kancelari Olaf Scholz priti udhëheqës nga Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik. Scholz mirëpriti liderët nga pesë shtetet e Azisë Qendrore për samitin e tyre të parë të premten, ndërsa vendet anëtare të BE-së kërkojnë të fitojnë aleatë gjeopolitikë në rajon.
Në Berlin, liderët nga Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani diskutuan për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik – dhe zhvillimin e të ashtuquajturës rrugë të “Korridorit të Mesëm”, që lidh rajonin me Evropën.
“Udhëheqësit konfirmuan interesin e tyre për zhvillimin e Korridorit të Mesëm dhe tërheqjen e financimit për projektet e infrastrukturës nën iniciativën Global Gateway”, njoftuan liderët në një deklaratë të përbashkët.
Kryetarja e Komitetit për Marrëdhëniet Ekonomike të Europës Lindore, Catharina Claas-Mühlhäuser e quajti takimin “historik”, pasi propozoi pesë prioritete për intensifikimin e bashkëpunimit: Energjinë, lëndët e para, bujqësinë, transportin dhe trajnimin profesional.
Në një deklaratë të përbashkët, të gjitha palët theksuan rëndësinë e respektimit të regjimit global të sanksioneve kundër Rusisë. Shtetet e Azisë Qendrore janë akuzuar shpesh se i kanë ofruar Moskës furnizime që nuk mund t’i sigurojë për shkak të masave ndëshkuese që po përballet për luftën në Ukrainë.
Presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev tha të enjten se Kazakistani nuk do ta ndihmojë Rusinë të anashkalojë sanksionet perëndimore.
“Sa i përket anashkalimit të mundshëm të sanksioneve, Kazakistani ka deklaruar pa mëdyshje se do të ndjekë regjimin e sanksioneve […] më duket se nuk duhet të ketë frikë nga pala gjermane për veprime të mundshme që synojnë anashkalimin e regjimit të sanksioneve” deklaroi Tokaev.
Tokayev u zotua gjithashtu të rrisë dërgesat e ardhshme të naftës në Gjermani, pasi Berlini kërkon alternativa ndaj importeve ruse. “Me kërkesën e miqve tanë gjermanë, unë kam konfirmuar gatishmërinë e vendit tonë për të rritur furnizimet me naftë dhe për t’i bërë ato afatgjatë,” shtoi ai.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.