Gjigantët e naftës dhe gazit reduktojnë fitimet – Ndikuan rënia e kërkesës dhe ulja e çmimeve
Fitimet për kompanitë e naftës dhe gazit kanë rënë ndjeshëm që nga nivelet më të larta të vitit 2022 kur Rusia nisi pushtimin e saj të Ukrainës dhe çmimet e energjisë u rritën. Një rënie e çmimeve të naftës dhe një ngadalësim i kërkesës për gaz ka bërë që protagonistët më të mëdhenj në treg të regjistrojnë uljen e fitimeve prej dhjetëra miliarda dollarë vitin e kaluar.
Gjithsej, gjigantët e energjisë grumbulluan 107.5 miliardë dollarë në 2023-shin. Ndërsa kjo është një shumë e madhe, të ardhurat e tyre neto shënuan një rënie prej 43 miliardë dollarësh, pothuajse 30%, nga nivelet stratosferike të 2022-shit.
Kompania amerikane ExxonMobil, regjistroi rënie prej 35% në të ardhurat neto vjetore, duke fituar “vetëm” 36 miliardë dollarë, nga 55.7 miliardë dollarë të raportuar në 2022. Gjigandi amerikan i naftës, Chevron, regjistroi rënie edhe më të madhe të të ardhurave. Fitimi neto u ul me pothuajse 40% në bazë vjetore, në 21.4 miliardë dollarë, nga 35.5 miliardë dollarë në 2022 -shin.
Gjigandi britanik i naftës dhe gazit Shell gjithashtu pësoi një rënie dyshifrore të të ardhurave, me të ardhurat neto që ranë me 29% në bazë vjetore. Midis janarit dhe dhjetorit, kompania arkëtoi 28.3 miliardë dollarë, nga 39.9 miliardë dollarë një vit më parë.
Pasi u “largua” nga aksionet e saj në kompaninë ruse të naftës dhe gazit të kontrolluar nga shteti, Rosneft vitin e kaluar, British Petroleum mori një goditje prej 25 miliardë dollarësh, duke e mbyllur gjysmën e vitit 2022 me një humbje neto prej – 10.5 miliardë dollarë.
Megjithatë, kompania më pas u rikuperua për të përfunduar gjysmën e parë 2023 me një fitim neto prej 10.3 miliardë dollarësh. Fitimi i saj vjetor u rrit me 4% në 21.4 miliardë dollarë deri në fund të vitit. Statistikat tregojnë se të ardhurat neto të kombinuara të katër gjigantëve të naftës dhe gazit arritën në 107.5 miliardë dollarë në 2023, nga 151.5 miliardë dollarë një vit më parë.
E vetmja kompani me rezultate më të mira gjatë vitit 2023 ishte francezja Total Energies. Në shkurt, ajo raportoi fitimin neto më të lartë të historisë së saj për vitin 2023, i cili arriti në 21.4 miliardë dollarë, një rritje prej 4% krahasuar me vitin 2022. Kompania tha se fitimet u mbështetën nga performancat në divizionet e saj të gazit natyror të lëngshëm dhe energjisë elektrike, ndërsa po vazhdon të investojë shumë në prodhimin e karburanteve fosile.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.